Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) ka realizuar së fundmi një sondazh për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas këtij sondazhi për tri vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovën, Shqipërinë dhe Bosnje e Hercegovinën, Serbia shihet si kërcënimi më i rëndësishëm për vendet e tyre.
Sipas rezultateve të këtij sondazhi nga IRI, në Kosovë një shumicë prej 83% e sheh si kërcënim Serbinë, pasuar nga Rusia më 8%.
Në Shqipëri 36% e qytetarëve e shohin Serbinë gjithashtu si kërcënim, pasuar nga Rusia me 32%.
Edhe në Bosnje 27% e qytetarëve e mendojnë që Serbia është kërcënim për ta, pasuar nga SHBA-të më 20% dhe Rusia më 15%, shkruan Telegrafi.
Për dallim nga këto tri shtete, Serbia si kërcënim i sheh Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
36% e qytetarëve serb janë deklaruar se si kërcënim të rëndësishëm për vendin e tyre i shohin SHBA-të, 18% të tjerë e mendojnë Shqipërinë dhe 10% Kosovën.
Sikurse në Serbi edhe në Mal të Zi, 19% e qytetarëve i shohin SHBA-të si kërcënim, pasuar nga Rusia me 17% dhe Serbia me 10%.
Për 23% të maqedonasve, Bullgaria është kërcënimi më i rëndësishëm për vendin e tyre, e ndjekur nga Rusia me 12% dhe Kosova 10%.
Ndërkaq në pyetjen se cilin shtet e konsideroni si aleatin më të rëndësishëm për vendin tuaj, 80% e qytetarëve të Kosovës i shohin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasuar nga Shqipëria pastaj më 6%.
Edhe në Shqipëri si aleat më të rëndësishëm e shohin SHBA-të më 56%, pasuar nga Italia më 10%.
Ndryshe nga Kosova dhe Shqipëria, Serbia edhe në këtë sondazh e ka dëshmuar aleancën që ka me Rusinë dhe Kinën.
46 % e qytetarëve serb e shohin Rusinë si aleatin më të rëndësishëm për ta, pasuar nga Kina më 14%.
Në sondazhin e IRI nuk ka munguar pyetja edhe për luftën në Ukrainë, se kush është më përgjegjës për konfliktin atje.
Qytetarët e Kosovës, 73% e tyre janë përgjigjur që Rusia është përgjegjëse për luftën në Ukrainë. 56% e qytetarëve të Shqipërisë gjithashtu e mendojnë të njëjtën gjë.
Ndërkaq në Serbi, pa dyshim që fajtor për këtë gjë e lënë perëndimin dhe Ukrainën.
Vetëm 6% e serbëve e mendojnë Rusinë përgjegjëse, ndërkaq 43% e lënë fajtore perëndimin dhe 36% Ukrainën.