Në Strasbourg po zhvillohen punimet e sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Tema e rëndësishme e këtij sesioni të APKE do të jetë debati dhe votimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, transmeton Telegrafi.
Kuvendi i Kosovës, në njoftimin e bërë për media thotë se “në këtë sesion, marrin pjesë anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në APKE, Saranda Bogujevci, kryesuese, Arben Gashi dhe Enis Kervan, anëtarë, si dhe Ariana Musliu-Shoshi dhe Besnik Tahiri, zëvendës-anëtarë”.
“Në APKE po qëndron edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës dhe Zv. Kryeministrja, Donika Gërvalla dhe Zv. Ministri i MPJD, z. Kreshnik Ahmeti. Në sesion, fillimisht, raportuesja për Kosovën, znj. Theodora Bakoyannis, do ta prezantojë raportin konsultativ për aplikimin e Kosovës për anëtarësim dhe më pastaj do t’i jepet fjala anëtarëve të tjerë, përfshirë anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në APKE”, thuhet në njoftim.
Kuvendi bën të ditur se pas debatit, raporti do të hidhet në votim ku kërkohen 2/3 e votave për miratim dhe më pas do t’i përcillet Komitetit të Ministrave për votim. Komiteti i Ministrave do të mbahet me 16-17 maj 2024.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022.