Të enjten për vizitë në vendin tonë ishte kryesuesi aktual i OSBE-së, Ian Borg, i cili është edhe ministër i Jashtëm i Maltës.
Borg gjatë vizitës së tij në Kosovë është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, ministren e Jashtme, Donika Gërvalla e zyrtarë të tjerë.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës, presidentja Osmani dhe ministri Borg kanë diskutuar për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me OSBE-në, përfshirë mbështetjen e OSBE-së në të kaluarën dhe bashkëpunimin aktual me institucionet vendore. Presidentja Osmani u informua mbi prioritetet e ministrit Borg dhe Maltës si kryesues i sivjetmë i OSBE-së.
Në takim është diskutuar edhe për raportet bilaterale midis Kosovës dhe Maltës, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për zhvillimet e fundit politike në rajon.
Në diskutim me ministrin Borg, presidentja ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë si dhe promovimit të të drejtave të njeriut.
Në këtë frymë, Presidentja Osmani potencoi se anëtarësimi i Kosovës në institucionet euroatlantike do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën.
Ajo shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Maltës në këtë drejtim, sikurse në çdo proces tjetër të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Ndërkaq, në një postim në Twitter, OSBE bën të ditur se kryesuesi i OSBE-së, ministri Borg i shprehu mirënjohjen presidentes Osmani për partneritetin e fortë me OSBE në Kosovë.
Siç bëhet e ditur, Borg përsëriti potencialin e dialogut Prishtinë-Beograd të udhëhequr nga BE-ja për të adresuar çështjet e vjetra dhe theksoi mbështetjen e misionit të OSBE për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Ndërkaq, me kryesuesin e OSBE-së është takuar edhe kryeministri Albin Kurti.
Kurti ka shprehur vlerësimin për kontributin e vazhdueshëm të OSBE-së në promovimin e qeverisjes demokratike, ndërsa nga ana e tij, ministri Borg shprehu kënaqësinë të vizitojë vendin tonë, për të mësuar më shumë për partneritetin që ekziston mes OSBE-së dhe qeverisë sonë.
Përgjatë takimit, u diskutua rreth sukseseve dhe arritjeve të Kosovës në këto tri vite të fundit.
Mes temave të trajtuara ishin dhe sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar por edhe bashkëpunimi në kuadër të sfidave të tjera të përbashkëta.
Në lidhje me marrëdhëniet bilaterale mes shteteve tona, u riafirmua bashkëpunimi i ngushtë mes nesh, e ku sipas Kryeministrisë, ministri Borg theksoi se Malta mbetet një shtet partner dhe mik i Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, sipas OSBE-së, në takimin me kryeministrin Kurti, Borg u zotua për mbështetje për reformat në drejtësi dhe atë zgjedhore. Ai theksoi nevojën për t’u angazhuar me komunitetet joshumicë për çështjet që lidhen me të drejtat dhe interesat e tyre.
Ndërkaq, bashkëpunimi në demokratizim, sundim të ligjit, liri të mediave, avancim të të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe siguria në Kosovë dhe rajon ishin temat kyçe ndërmjet ministres Donika Gërvallës dhe ministrit maltez Borgut.
Gërvalla shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit në projekte të reja, të cilat si qëllim kanë demokratizimin, sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
“Republika e Kosovës është shembull në rajon sa i përket demokratizimit, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe si faktor stabiliteti, andaj anëtarësimi i Kosovës në OSBE do të forconte edhe më tepër rolin e OSBE-së në arritjen e objektivave të saj në Ballkanin Perëndimor”, tha ministrja Gërvalla.
Sipas njoftimit, të dy ministrat folën edhe për Procesin e Berlinit, zbatimin e marrëveshjeve dhe hapat përshpejtues të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si alternativë e vetme për të ardhmen e rajonit, duke ngritur në pah anëtarësimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ministrja Gërvalla e njoftoi homologun e saj edhe për situatën në veri të vendit, investimet e qeverisë së Kosovës në atë pjesë të vendit, respektimin e të drejtave të serbëve lokal dhe veprimet destabilizuese të Serbisë, të cilat rrezikojnë sigurinë dhe paqen jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin.
Në fund të takimit ministrat Gërvalla dhe Borg u dakorduan për hapat e ardhshëm në koordinim të projekteve të përbashkëta.
Ndërkaq, OSBE njofton se kryesuesi Borg ka potencuar raportet e mira ndërmjet institucioneve të Kosovës me OSBE-në në Kosovë, gjersa ofroi ekspertizën e OSBE-së në hartimin dhe zbatimin e reformave.