Kandidati për president, Maksim Dimitrievski, është kundër votimit të presidentit në Kuvend sepse, siç tha, shefi i shtetit e merr legjitimitetin nga qytetarët përmes votës. Këtë e tha në edicionin e djeshëm të Debatit Zgjedhor në TV21 duke shtuar se angazhohet edhe për uljen e numrit të deputetëve dhe ministrive dhe se duhet bërë reforma në administratë.
“Në pjesën e uljes së numrit të deputetëve, unë mendoj se madje edhe nën 90, por edhe disa ministri duhet të shfuqizohen dhe të transformohen në agjenci ose institucione më të vogla shtetërore dhe organizata. Seriozisht duhet punuar në Ligjin për nëpunës shtetërorë dhe publikë, sepse mendoj se ky ligj i mbron njerëzit që kanë hyrë në institucionet me librezë partiake ndërsa një pjesë e madhe prej tyre janë njerëz që nuk punojnë mjaftë për pagën e tyre”, tha Maksim Dimitrievski, kandidat për president.
Dimitrievski në fushatën e tij shpeshherë flet për proceset e eurointegrimit dhe kërkesat e Bullgarisë për ndryshimet kushtetuese. Ai tha se në Kushtetutën ka vend për të gjithë por jo nën kushtet dhe shantazhet e Sofjes zyrtare.
“Ne si maqedonas, si Maqedoni gjithmonë kemi qenë zemërgjerë si popull. Por asnjëherë nuk kemi pranuar shantazhe dhe presion. Në kushtetutën tonë ka vend për të gjithë, problemi qëndron në mohimin që vazhdimisht vjen nga Sofja. Vetë korniza negociuese që e përmendët, e cila në fakt e përmban në tërësi deklaratën e Parlamentit bullgar, na mohon si popull”, deklaroi Maksim Dimitrievski, kandidat për president.
I pyetur se kujt do t’ia japë votat në raundin e dytë të zgjedhjeve, Dimitrievski tha se në garën presidenciale hyn për të fituar e jo vetëm për të marrë pjesë.