Shkup, 11 prill – Përderisa marrëdhëniet Kosovë – Serbi asesi të rregullohen vetëm sa acarohen edhe më shumë, Serbia në mënyrë zyrtare po dëshmon edhe njëherë që është jashtëzakonisht shumë e interesuar për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Por, në këtë “derexhe” ka ardhur Kosova pasi me të kanë udhëhequr njerëz “kukulla” bie fjala për ish kryeministrin, Avdullah Hoti, i cili më 4 shtator të vitit 2020 kishte nënshkruar me dorën e tij që Serbia duhet ta ndalë anti fushatën por vetëm për një vit, pra sipas Hotit pas një viti Serbia duhet të vazhdojë me anti fushatë me të njëjtin ritëm. Nga ana tjetër, Neni 4 i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit, që Kosova dhe Serbia arritën në shkurt të vitit 2023, thotë se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, Serbia këtë nen të kësaj marrëveshje e shkel me dy këmbë por më ironike është situata që BE heziton ta komentojë këtë shkelje të Serbisë, shkruan Zhurnal.
Serbia formon ekipin kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës –
Serbia ka formuar grupin punues që është thënë se do të merret me koordinimin e aktiviteteve të organeve shtetërore për të parandaluar anëtarësimin eventual të Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës. Grupi punues u formua me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë seancës të mbajtur më 5 prill në Qeverinë serbe.
“Ky grup punues ka mbajtur mbledhjen e parë”, u tha në një njoftim të Qeverisë serbe.
Grupi punues do të udhëhiqet nga Ivica Daçiq, që është kryediplomati i Serbisë, së bashku me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq. Anëtarë në këtë ekip do të jenë edhe ministrja serbe për Integrime Evropiane, Tanja Mishçeviq, dhe ministri i Tregtisë, Tomisllav Momiroviq. Formimin e këtij grupi e kishte paralajmëruar Vuçiqi një ditë më parë. Ai ka kërkuar nga institucionet shtetërore që të bashkojnë forcat për të parandaluar anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ne kemi detyra të vështira dhe të rëndësishme, dhe do të kërkoja nga të gjithë anëtarët e Qeverisë, pavarësisht se çfarë funksionesh do të kryejnë pas formimit të Qeverisë së re, të punojnë me përkushtim në kryerjen e këtyre detyrave”, deklaroi Vuçiq një ditë më parë gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Qeverisë serbe.
BE heziton të komentojë shkeljet e Serbisë, ndërkaq me nxitim vepron kur bëhet fjalë për sanksionimin e Kosovës –
Bashkimi Evropian nuk ka komentuar planet e Serbisë për të tentuar që të pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Më 5 prill, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, u pyet nëse veprime të tilla të Serbisë përbëjnë shkelje të marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve të arritur një vit më parë por, ai nuk deshi të komentojë.
“Nuk dua të hyjë në komente të asaj se çfarë është thënë se çfarë dëshiron të bëjë presidenti Vuçiq. Unë mund të përsëris se, bazuar në pritjet e Bashkimit Evropian, si Serbia ashtu edhe Kosova duhet pa vonesa të tjera të nisin të zbatojnë marrëveshjen për të cilën ishin pajtuar para më shumë se një viti në Ohër. Kjo është me rëndësi të madhe. Kur bëhet fjalë për Këshillin e Evropës, çështjet e anëtarësimit i takojnë Këshillit të Evropës”, tha Stano për REL.
Kujtojmë që, Neni 4 i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit, që Kosova dhe Serbia arritën në shkurt të vitit 2023, thotë se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”. E kjo është shkelje flagrante e këtij neni nga ana e Serbisë por nga BE kanë mbyllë sy e vesh kur shkeljet bëhen nga Serbia.
Bashkimi Evropian tha se nuk dëshiron të komentojë paralajmërimet e Serbisë se do të punojë për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Nga blloku evropian vetëm përsëritën thirrjet ndaj të dyja palëve që të zbatojnë me urgjencë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve një vit më parë. Këto veprime të BE-së vetëm sa rritin përpjekjet e Serbisë për të bërë edhe veprime përshkallzuese kundrejt atyre normalizuese.
Kujtojmë që, Kosova synon të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në muajt në vijim, pasi javën e kaluar, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se ajo i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Gjasat për anëtarësim janë rritur pas dhënies së mendimit pozitiv nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate.
Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill, dhe nëse ajo jep dritën jeshile, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj. Por, ndaj kësaj situate Serbia nuk po qëndron duarkryq po punon ditë e natë që ky anëtarësim të pengohet, ndaj këtij veprimi të Serbisë BE dhe SHBA duhet të reagojnë duke sanksionuar Serbinë për shkeljen e Nenit 4 të Marrëveshjes për normalizim. Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut. Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit. /Zhurnal.mk