Banka Botërore parashikon rritje të lartë ekonomike në Ballkan, mbi 3 përqind pritet të jetë në Kosovë

Banka Botërore parashikon rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor më të lartë në vitin 2024, dhe të përshpejtohet edhe në vitin 2025, duke u kthyer në nivelet mesatare të parapandemisë.

Sipas BB, rritja e PBB-së në Kosovë pritet të përshpejtohet në 3.7 për qind në vitin 2024, e mbështetur nga stabilizimi i vazhdueshëm i çmimeve ndërkombëtare dhe më vonë do të rritet drejt potencialit të Kosovës prej rreth 4 për qind, e nxitur nga flukset e qëndrueshme të diasporës dhe një rritje gradual e investimeve.

“Perspektiva është pozitive, por pasiguritë që lidhen me tensionet gjeopolitike dhe politikën e brendshme, dhe një ngadalësim i mëtejshëm në BE sjellin rreziqe të konsiderueshme”, citohet në komunikatë Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

“Për të përshpejtuar konvergjencën ekonomike me BE-në, reformat në sektorët fiskal, të qeverisjes, arsimit dhe energjisë duhet të jenë prioritet”, shtoi ai.

Sipas njoftimit vendet e rajonit duhet të vijojnë me zbatimin e reformave me qëllim ngushtimin e hendekut të zhvillimit me vendet e Bashkimit Evropian dhe përmirësimin e standardeve të jetesës. Kjo përfshin rritjen e investimeve për qytete më të gjelbra, duke u dhënë atyre mundësi të kontribuojnë në mënyrë më efikase në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, thuhet në Raportin e ri Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, të publikuar sot.

“Aktiviteti ekonomik në Ballkanin Perëndimor pritet të rritet me 3.2 për qind këtë vit, ose 0.2 pikë përqindje më shumë se rritja e parashikuar nga Banka Botërore në edicionin e mëparshëm të raportit, dhe të vijojë me një rritje prej 3.5 për qind në vitin 2025. Parashikimet individuale për gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi, janë përfshirë në Përditësimin Ekonomik të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, të publikuar po sot”, thuhet në njoftim.

Ndryshimet në pikë përqindje nga parashikimet e Tetor 2023

Rritja e lehtë në vlerat e parashikuara të rritjes ekonomike në periudhë afatmesme reflekton një optimizëm të kujdesshëm pasi Ballkani Perëndimor ka përballuar një sërë goditjesh gjatë viteve të fundit. Megjithatë, rreziqet në perspektivë vijojnë të anojnë nga kahu negativ. Vazhdimi i rritjes së dobët në ekonominë botërore, veçanërisht në Eurozonë, do të përkthehej në nivele më të ulëta të investimeve dhe tregtisë me vendet e rajonit. Përveç kësaj, vlerat e parashikuara të rritjes ndikohen negativisht edhe nga faktorë të brendshëm, si shtimi i tensioneve gjeopolitike, emigracioni, pasiguria zgjedhore dhe inflacioni i vazhdueshëm.

“Pas disa viteve të trazuara si rezultat i pandemisë COVID-19 dhe krizës energjetike, është mbresëlënëse të shohësh se si rritja ekonomike e Ballkanit Perëndimor po arrin nivelet e parapandemisë, ndërsa varfëria vijon të ulet”, tha Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Megjithatë, progresi aktual nuk mjafton për të përmbushur aspiratat e qytetarëve dhe për të përmirësuar standardet e jetesës drejt atyre të Bashkimit Evropian. Plani i ri i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi të mirë për të nxitur zhvillimin ekonomik përmes reformave dhe investimeve, veçanërisht për ekonominë e gjelbër”.

Plani prej gjashtë miliardë eurosh do të ndihmojë në forcimin e lidhjeve ekonomike midis rajonit dhe Bashkimit Evropian, partnerin e tij më të madh tregtar, dhe në zbatimin e reformave për rritjen e integrimit ekonomik brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sipas Bankës Botërore, përmirësime të tilla si reduktimi i kohës së zhdoganimit dhe modernizimi i sistemeve të pagesave në vendet e rajonit mund të çojë në përfitime të ndjeshme ekonomike për këto vende.

Investimi në tranzicionin e gjelbër dhe përmirësimi i nivelit të jetueshmërisë së qyteteve në Ballkanin Perëndimor mund të ndihmojë gjithashtu në rigjallërimin e rritjes rajonale, sipas raportit të Bankës Botërore.

Qytetet janë vendi ku zhvillimi ekonomik ndodh realisht. Ato i afrojnë punëtorët me vendet e punës, duke nxitur produktivitetin, rritur mundësitë dhe duke lehtësuar shkëmbimin e mallrave dhe ideve”, tha Natasha Rovo, Ekonomiste e Lartë e Bankës Botërore dhe një nga autoret kryesore të raportit. “Qytetet në Ballkanin Perëndimor kanë shfaqur qëndrueshmëri në vitet e fundit. Megjithatë, ato e kanë patur të vështirë të shndërrohen në motorë të rritjes ekonomike, jo vetëm për shkak të efekteve të sfidave strukturore dhe demografike, por edhe për shkak të cënueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike. Investimet në ekonominë e gjelbër mund të jenë një mundësi e mirë për t’i dhënë shtysë rritjes në të ardhmen”.

Raporti rekomandon ndërmarrjen e veprimeve në tri fronte kryesore me qëllim gjelbërimin dhe forcimin e qyteteve në Ballkanin Perëndimor.

“Së pari, krijimi i qyteteve sa më kompakte do të ndikonte pozitivisht në rritje, do të ulte kostot në ofrimin e shërbimeve publike dhe do të përmirësonte situatën mjedisore. Së dyti, reformat dhe investimet që synojnë zgjerimin e sistemeve të transportit publik dhe kalimin në ndërtesa më të gjelbra, dhe me efiçencë energjitike do të pakësonte ajrin e ndotur, i cili është shkaktar i mijëra vdekjeve të parakohshme çdo vit në rajon. Së treti, nxehtësia ekstreme në qytete, me temperatura që në stinën e verës shkojnë 4,5- 7,5°C më të larta se në zonat rurale rreth tyre, do të ndikojë negativisht në produktivitet dhe shëndetin e njeriut. Bashkitë duhet të miratojnë masa për freskimin e hapësirave fizike përmes projektimit dhe planifikimit më të mirë urban dhe investimeve të posaçme”, njofton BB.

Hot this week

Deputeti Nikollë Camaj kujton jetën dhe veprën e atdhetarit Rrok Dedvukaj

Sot, në Amerikën e largët, i jepet lamtumira e...

Rruga Prizren -Tetovë po fillon të ndërtohet

Prizren, 2 gusht - Sot janë nënshkruar kontratat për...

Prezantohet ekrani i parë në botë me shpejtësi rifreskimi prej 1000 Hz

Monitorët më të shpejtë të disponueshëm aktualisht në treg...

Rënie prej 1.2 për qind të prodhimit industrial në muajin prill

Shkup, 31 maj - Prodhimi industrial në prill të këtij...

3 shenjat se menaxherët, jo punonjësit, janë problemi

Kur punonjësit nuk performojnë mirë, është e lehtë t’ua...
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Related Articles

spot_imgspot_img