Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, në një fjalim përpara demokratëve në Rrëshen ka komentuar ndër të tjera edhe arrestimin e drejtorit të IT në Policinë e Shtetit, që ndërhyri në sistemin TIMS, Ervin Muçën.
Salianji theksoi se uron që arrestimi dhe më pas vënia në arrest shtëpie e Muçës mos të jetë thjesht për truk, për të mos dhënë më tej llogari në Komisionin Hetimor parlamentar për sistemin TIMS. Ai shtoi se gjithsesi opozita do të vijojë me denoncime për aferat e shumta të qeverisë.
“OSBE ODIHR e ka thënë se zgjedhjet janë manipuluar. Opozita po fiton sot përditë e më shumë terren, tek zëri ynë në parlament, tek zëri i përfaqësuesve të PD në çdo cep të Shqipërisë. Puna po sjell transparencë dhe po ia heq një e nga një qeverisë. Nuk ka ndërhyrje më të rëndë sesa të hysh në TIMS.
Arrestuan drejtorin e IT në Policinë e Shtetit. Shpresoj mos të jetë truk, që mos japin llogari në Komisionin Hetimor parlamentar. Edi Rama është drejtpërdrejtë i përfshirë në afera. Rama ka ndërtuar një sistem, që asetet shettërore të jenë në duar të individëve të dyshimtë. E vetmja rrugë që kemi është që të përballemi me këtë regjim. Nëse kemi bashkim, betejë e cilësi, rezultati do të vijë. Fitore e suksese në zgjedhjet e 2025”, deklaroi Salianji.
Fjala e plotë e Salianjit:
Të dashur miq Zonja e zotërinj Demokratë e qytetarë të Mirditës Jemi këtu në një Bashki të fituar nga demokratët në zgjedhjet e fundit. Nuk ishte aspak një garë e lehtë, të gjithë e dini. Të gjitha rrethanat ishin kundër nesh kudo. Nuk kishim logo, nuk kishim fonde, ndërkohë që kundërshtari po operonte me çdo mjet e instrument, edhe të paligjshëm, duke shkelur me dy këmbët standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Bashkimi i demokratëve dhe cilësia në përfaqesim, ky kombinim rezultoi i papërballueshëm, rezultoi formulë suksesi dhe tejkaloi gjithë avantazhet e pushtetit. Ky është një leksion që nuk duhet ta harrojmë në asnjë çast. Kemi shumë për te bërë, plot punë e aksion, por duke mbajtur në themele këtë parim, bashkim e cilësi në përfaqësim. Të dashur miq! Me këtë devizë, opozita sot po fiton përditë e më shumë terren në skenën politike, në duelin e përditshëm që zhvillohet në çdo front. Por me bashkimin tonë, është evidente që është rritur pesha, autoriteti, zëri ynë në Parlament e në publik. E nga ana tjetër, puna profesionale e cilësore, po sjell transparencë e po ja heq një e nga një qeverisë lëkurët me të cilat ka mbajtur deri tani të maskuar me mjaft kujdes qeverisjen e keqe, korrupsionin e skandalet. Po të vini re, në pak muaj, por me vendosmëri e me energji, dhe sidomos pa bërë asnjë kompromis, pa i lënë kauzat rrugës, Opozita ja ka dalë ta vendosë qeverinë në një situatë të veshtirë, ndoshta më të vështirën në këto 11 vite. Skandali në Bashkinë e Tiranës, rrëzoi investimin disa vjeçar në propagandë, është Opozita, që e sjell para syve të qytetarëve abuzimet e qeverise! Duke i bërë një shërbim të çmuar publikut dhe taksapaguesve.
Me autoriterin e Opozitës, dhe profesionalizmin, Edi Rama është sot në një dritë tjetër para qytetarëve ku po i dalin e do ti dalin edhe më shumë fakte e të vërteta për afera e abuzime, që nga shendetësia, inceneratorët e deri tek nderhyrjet ne sistemin TIMS. Shihni të dashur miq, çfarë ndodhi me një skandal tjetër të rëndë të rilindjes, që është ndërhyrja e manipulimi me sistemin Tims. Sapo filluam hetimin parlamentar, ju dorëzua drejtësisë një prej përgjegjësve të këtij krimi të rende që cenon sigurinë kombëtare. Qeveria, ajo që duket e madhe, e fuqishme, e shumëpushtetshme, po shihni se si po gërryhet e gërryhet çdo ditë nga Opozita e fortë, e vërtetë, dhe konsekuente, që i çon betejat deri në fund. Këto janë piketa të mira të dashur miq. Duke treguar forcë e përballje të palëkundur ne i japim shpresë e kurajo qytetarëve dhe krejt vendit që është mbajtur nën thundër e me shtypje, me shantazh e kercenim nga një qeverisje e një kryeministar që ka treguar prej ditës së parë se nuk kërkon konsensusin e qytetarit apo pëlqimin e tij për punët që bën, e vendimet që merr, por kerkon nënshtrimin e frikësimin e tij. Dhe pikërishr këtu është roli ynë i patjetërsueshëm për t’i dhënë zë, kurajo e frymëzim njerëzve. Për nga natyra e kam pak si përzemër përplasjen. Mirë do të ishte të kishim debat normal, me argumenta e me llogjikë me kundërshtarin. Por kjo është e pamundur që në krye. Sepse asgjë nuk është normale tek kjo qeveri, tek kundërshtari ynë. Korrupsioni endemik, i shtrirë në mënyrë kapilare në çdo zyrë e sektor, lidhjet e çdolloji me krimin, braktisja e qytetarëve, lënia e tyre vetëm në hall e vështirësi, të gjitha këto na ftojnë në përballje. Dhe përballje do të jetë, betejë do të jetë çdo ditë, derisa ta gjunjëzojmë qeverinë më të korruptuar e më të urryer në tre dekada. Dita e gjykimit po vjen. Mirëpo, s’duhet të harrojmë në asnjë moment, se edhe ne në fund do t’i nënshtrohemi një gjykimi. Ndaj duhet seriozisht të angazhohemi për të patur alternativën më të mirë, ekipin më të mirë.
Bashkim, betejë dhe cilësi. Dhe do të shohim që rezultati do të vijë. Siç erdhi këtu në Mirditë, në Kavajë, në Has, në Pukë, Fushë Arrëz, e Memaliaj. Ju faleminderit e suksese! Fitore!