Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Hakan Fidan, ka deklaruar se vendi i tij ka vendosur të marrë një “sërë masash” kundër Izraelit derisa të arrihet një armëpushim.
“Türkiye ka vendosur të marrë një sërë masash kundër Izraelit derisa të arrihet një armëpushim dhe Izraeli të lejojë ndihmën në Gaza. Këto masa të miratuara nga presidenti ynë do të zbatohen hap pas hapi dhe pa vonesë”, tha Fidan në një konferencë për media në Ankara.
Fidan tha se Türkiye “kërkoi të përfshihej në hedhjet humanitare nga ajri në Gaza, por Izraeli e refuzoi atë edhe pse Jordania e miratoi”.
“Nuk ka asnjë justifikim për Izraelin që të bllokojë përpjekjen tonë për të dërguar ndihma për banorët e Gazës së uritur”, theksoi ai.
Më tej, duke theksuar përpjekjet e Türkiyes për të ndihmuar popullin e Gazës së shkatërruar nga lufta, shefi i diplomacisë turke tha se “për herë të parë ndonjëherë, i gjithë komuniteti global po dënon Izraelin”.
“Turkiye është një nga dy vendet që dërgon më shumë ndihma në Gaza, anija jonë e nëntë është nisur tani”, tha Fidan.
Ai njoftoi se 42 mijë tonë ndihma do të dërgohen në Egjipt dhe më pas do të dërgohen në Gaza nga deti dhe ajri.
Ministri turk gjithashtu komentoi akuzën për gjenocid të Afrikës së Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, duke theksuar se “madje edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i cili ka qëndruar i heshtur deri më tani, ka thënë se Izraeli duhet të shpallë armëpushim”.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
Si pasojë e sulmeve izraelite, të paktën 33.207 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës që nga sulmi i 7 tetorit të kaluar nga Hamasi kur sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës palestineze mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.