Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, zhvilloi këtë të enjte një interpelancë me ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro, në lidhje me miratimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura.
Në fjalën e saj Zhupa, tha se ligji i ri lejon ndërtimet në Zonat e Mbrojtura dhe bëhet me qëllim që të ndërtohen resorte me 5 yje nga personat që qëndrojnë pranë maxhorancës.
Zhupa pyeti ministren se pse turizmi duhet të zhvillohet duke prekur dhe betonizuar Zonat e Mbrojtura.
“Zonja Kumbaro ka precedent. E mbani mend pikën e vogël, e hoqi. Do ta bësh Shqipërinë të mbushur me pikëza betoni. Do ju drejtohem ministrja e Ndërtimit, se shqetësimi juaj është ku të ndërtoni resorte, hotele me 5 yje, vilat e oligarkëve me demek i shërbyekan turizmit. Si i shërben betoni mjedisit, si i shërben mjedisit prerja e pyetjeve, shkatërrimi i lagunave, florës dhe faunës.
Pse dënohet një njeri që pret pyje dhe një që vret kafshë, ndërsa njëri që pret mijëra pyje quhet investitor strategjik, apo sepse i pari nuk ka para ndërsa i dyti ka dhe i ndan me ju.
Si është e mundur që ju si ministre, të mendoni se Shqipëria nuk paska përfitime nëse profilizohet te turizmi natyror, pse mendoni se është ai i resorteve në zona të mbrojtura? Pse duhet shteti të falë zonat e mbrojtura? Mi sqaroni këto pyetje”, tha Zhupa.
Ndërkohë që në përgjigjen e saj ministrja solli disa raste ku disa qytetarë nuk m und të zhvillojnë pronën e tyre, të zhvillojnë tuizmin dhe punësimin në zonë vetëm sepse janë në Zonë të mbrojtur. Ajo shtoi se ndryshimet i vijnë në ndihmë qytetarëve që duan të bëjnë investime në zona të tilla, ose në pronat e tyre.
“Andi nga Gjinari ka një objekt, shtëpinë e tij njëkatëshe, të cilën donte ta rikonstruktonte për ta kthyer në bujtinë, brenda pronës së tij. Për shkak të përcaktimeve ligjore të ligjit ekzistues të zonave të mbrojtura, projekti i tij, mjaft i këndshëm por edhe i dobishëm për fshatin, mori përgjigje negative nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. Një tjetër projekt “Kompleks agroturizmi 1 kat me çati” në njësinë administrative Novoselë në Vlorë, që do tërhiqte turistë të natyrës dhe do të krijonte punësim për fshatarët e zonës, mori sërish përgjigje negative nga AKZM, në zbatim strikt të ligjit që parashikonte vetëm pak fjali për të rregulluar situata të panumërta që nuk gjejnë rregullim adekuat, në mospërputhje edhe me planet vendore, edhe me zonat e paracaktuara bujqësore apo turistike”, nisi fjalën e saj Kumbaro duke dhënë disa shembuj të ngjashëm ku për shkak të boshllqeve ligjore në ligjin e mëparshëm të zonave të mbrojtura, bllokohej zhvillimi i komuniteteve dhe krijoheshin situata të vështira në terren.
Ky problem, shfaqet më së shumti bashki që kanë një territor shumë të madh pjesë të zonave të mbrojtura nga Pusteci që është 100% zonë e mbrojtur, deri te Përmeti, Pogradeci, Vlora, Gjirokastra apo Mati ku zonat e mbrojtura zënë nga 10% deri në 80% të territorit, tha ministrja.
“Janë me dhjetëra e dhjetëra këto përgjigje negative nga ana e AKZM dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, duke mos i hapur rrugë jo vetëm projekteve turistike të nivelit të lartë e elitar, por as projekteve familjare të pronarëve të trojeve në bashki të ndryshme të vendit të cilët qartazi kanë identifikuar turizmin si një rrugë për zhvillimin e ekonomisë familjare”, u shpreh Kumbaro, duke sqaruar se ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura synojnë të garantojnë një ekulibër mes zhvillimit të komuniteteve në zona me potencial turistik duke mbrojtur natyrën dhe biodiversitetin”, tha ministrja.