Shkupi dhe Tetova, pritet të jenë epiqendra të garës zgjedhore

Shkup, 3 prill – Beteja kryesore në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut që do të mbahen më 8 maj, do të zhvillohet mes katër koalicioneve të partive politike maqedonase dhe shqiptare.

Gara në njërin bllok do të zhvillohet mes Lidhjes Social-Demokrate (LSDM) në pushtet dhe OBRM-PDUKM-së opozitare dhe në bllokun tjetër, mes Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në pushtet që udhëheq Frontin Evropian dhe koalicionit VLEN, që përbëhet nga partitë opozitare shqiptare.

Afati për dorëzimin e listave për deputetë mbyllet në mesnatën e 2 prillit. Pas dorëzimit, listat duhet të verifikohen nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Në Maqedoninë e Veriut zgjedhjet zhvillohen me lista të mbyllura në gjashtë njësi zgjedhore dhe çdonjëra prej tyre nxjerr nga 20 deputetë, apo gjithsej 120 deputetë sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Njësia e parë zgjedhore që përfshin pjesën më të madhe të Shkupit dhe njësia e gjashtë zgjedhore që përfshinë zonat e banuara me shqiptarë, si Tetovën, Gostivarin dhe Kërçovën, do të jenë në qendër të vëmendjes së opinionit, pasi në këto zona gara do të zhvillohet mes drejtuesve të koalicioneve politike.

Ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kryetar i LSDM-së në njësinë e parë zgjedhore, do të përballet me liderin e OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickovski, dhe kryetarin e partisë E Majta, Dimitar Apasiev.

Ndërkohë, te partitë shqiptare në këtë njësi zgjedhore gara do të zhvillohet mes Izet Mexhitit, nga koalicioni opozitar shqiptar, i cili për një kohë të gjatë ishte me BDI-në, dhe Blerim Bexhetit, kryetar i Komunës së Sarajit dhe ish-ministër i Drejtësisë.

Gara kryesore ndërmjet partive shqiptare do të zhvillohet në njësinë e gjashtë zgjedhore, ku nga BDI-ja listës zgjedhore do t’i prijë, kryetari i saj, Ali Ahmeti ndërsa listës së koalicionit opozitar VLEN, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami.

“Sikur në të kaluarën, edhe në këto zgjedhje, këto dy njësi zgjedhore do të jenë në qendër të vëmendjes, pra do të ketë përballje mes liderëve të partive, andaj edhe gjithë fushata do të përqendrohet në këto zona, pa anashkaluar edhe njësitë tjera, pasi çdonjëra prej tyre nxjerr nga 20 deputetë. Këto zgjedhje mund të përcaktojnë edhe fatin e tyre, pasi në rast të disfatës ato duhet të marrin përgjegjësinë edhe pse kjo te ne nuk ka ndodhur deri më tani, me përjashtim të ndonjë rasti”, thotë Bllagoja Atanasovski, njohës i çështjeve politike.

Bartës të listave zgjedhore, si të partive në pushtet, ashtu edhe të partive opozitare, janë kryesisht drejtuesit e partive politike, të cilët gjatë veprimit politik kanë ndërruar partitë politike, që në fakt nënkupton se do të garojnë me dikur bashkëpartiakët e tyre.

Këtu në veçanti dallohet Bashkimi Demokratik për Integrim, që në dy njësi zgjedhore merr pjesë me dy kandidatë që ishin deputetë apo ministra në mandatin e parë në vitin 2002.

Por, edhe OBRM-PDUKM-ja në listat zgjedhore ka kandidatë, të cilët ishin në funksione të larta në periudhën e qeverisjes së vendit nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski.

Bazuar në këtë, partitë politike në listat zgjedhore kanë shumë pak emra të rinj dhe gara me emrat që për shumë vite janë në skenën politike, sipas njohësve të çështjeve politike, nuk do t’i joshë votuesit për të dalë në votime.

“Kjo mendoj se do të jetë një faktor, në konotacionin negativ për vetë partitë politike, të cilat do të marrin pjesë me kandidatë që ta tashmë janë parë në politikë. Pra, partitë ofrojnë programe të reja me fytyra të vjetra politike. Kjo nuk ka asnjë kuptim dhe asnjë motiv për votuesit që të dalin në zgjedhje”.

“Mendoj se me një përzgjedhje të këtillë, kësaj radhe në votime nuk do të dalin as 50 për qind e zgjedhësve. Kjo është një pasqyrë apo reflektim i kulturës jodemokratike, mbylljes së partive pasi lideri i partisë së bashku me disa bashkëpunëtorë të tij të afërt vendos për gjithçka – si për listat zgjedhore ashtu edhe për hartimin e programit”, vlerëson Atanasovski.

Ndërkohë, publikimi i emrave të kandidatëve për deputetë ka rritur edhe përplasjet politike që po përcillen me akuza dhe etiketimin e kundërshtarëve politikë.

Një raport i Institutit për Studime të Komunikimeve thekson se aktorët politikë janë burimi kryesor i “fushatës së zezë”, ndërsa vëren rritjen e populizmit dhe të dukurive tjera të pranishme edhe në ciklet e kaluara zgjedhore.

“Te OBRM-PDUKM-ja narrativët e dëmshëm më së shumti i drejtohen LSDM-së dhe BDI-së, të cilat partia opozitare i paraqet si ‘struktura kriminale, të papërgjegjshme dhe që nuk marrin parasysh interesat kombëtare’. LSDM-ja, nga ana tjetër, shpeshherë e cilëson OBRM-PDUKM-në si ‘frenuese të integrimit evropian’ dhe e akuzon për qeverisje të korruptuar në institucionet lokale në mbarë vendin”, thuhet në raport.

Në raport përmenden edhe përplasjet mes partive shqiptare opozitare që akuzojnë Bashkimin Demokratik për Integrim për “përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar” dhe BDI-ja, e cila e akuzon opozitën për bashkëpunim me OBRM-PDUKM-në, të cilën ndërkohë e fajëson për frenimin e procesit euro-integrues.

Maqedonia e Veriut këtë vit zhvillon zgjedhje të dyfishta, zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare, që mbahen më 24 prill dhe 8 maj./REL/

Hot this week

Rënie prej 1.2 për qind të prodhimit industrial në muajin prill

Shkup, 31 maj - Prodhimi industrial në prill të këtij...

Rruga Prizren -Tetovë po fillon të ndërtohet

Prizren, 2 gusht - Sot janë nënshkruar kontratat për...

Deputeti Nikollë Camaj kujton jetën dhe veprën e atdhetarit Rrok Dedvukaj

Sot, në Amerikën e largët, i jepet lamtumira e...
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Related Articles

spot_imgspot_img