Nga: David Binder (artikulli i botuar në “The New York Times”, më 11 nëntor 1984)
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Më 18 qershor 1984, rojat bregdetare shqiptare qëlluan në mes të ditës tre zhytës francezë nga Klubi Mediteran – duke e vrarë njërin prej tyre. Më 16 shtator, rojat e tjera kufitare vranë një pylltar grek në kufi. Raportet e tilla të lajmeve për Shqipërinë, nuk duken aspak të pazakonshme në vendin me kubetë e gurit dhe bunkerët e betonit që shënjojnë fshatrat, me politikën e rreptë të jashtme, me himnin kombëtar që përfshin rreshtin “me kazmë dhe pushkë”, si dhe me historinë të shtypjes së brendshme.
Befasia, pavarësisht incidenteve të tilla, është se Shqipëria, një vend i vetmuar i cili deri vonë ishte gjithmonë klient i një fuqie të madhe komuniste, duket se gradualisht po del nga guaska e izolimit dhe se po kërkon marrëdhënie të reja në Perëndim dhe në Lindje. Më befasues është fakti se kjo po ndodh teksa Enver Hoxha, lideri komunist shqiptar në 43 vjetët e fundit, është ende gjallë. Ai gjerësisht konsiderohet si brutal dhe paranojak dhe, në mënyrë të habitshme, si mbijetues brilant. Kështu, enigma shqiptare shfaqet përsëri: A është ky vend enigmatik, me udhëheqjen e vjetër komuniste, në prag të një ndryshimi tjetër befasues?
Pakkush do ta mohonte se Shqipëria është gjëegjëzë, meqë për katër dekadat e fundit ka qenë një nga vendet më pak të arritshme në botë, duke u kthyer politikisht në armiqësi me patronët e saj të njëpasnjëshëm gjatë kësaj periudhe: Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën.
Shqiptarët janë pasardhës të një prej popujve më të vjetër të njohur të Evropës, të ilirëve, dhe megjithatë shteti kombëtar i tyre, i formuar nga dekretet e fuqive të mëdha në vitin 1912, është një nga më të rinjtë në Evropë. Është vend relativisht i vogël, kryesisht malor, pak më i madh se shteti i Merilendit, me një popullsi sa metropoli i Bostonit – rreth tre milionë. Sigurisht që është vendi më i varfër në Evropë. Lavdërohet se është bastion i komunizmit stalinist, i painteresuar për zhvillimin e marrëdhënieve me vendet kryesore perëndimore, ka dekurajuar kontaktet, ndërsa ka qenë i neveritshëm rekordi i ekzekutimit të njerëzve që konsideroheshin si rivalë brenda udhëheqësisë. Por, vendndodhja, politika e saj e çuditshme dhe mosmarrëveshjet për problemet etnike me fqinjët e afërt – Greqinë dhe Jugosllavinë – e bëjnë të jetë vendimtare në ekuilibrin delikat politik në gadishullin Ballkanik.
Tashmë është një dinamikë të re në Shqipëri, si rezultat i rritjes së shpejtë të popullsisë. (Studimet demografike tregojnë se norma e lindjes është afërsisht tre deri në katër herë më e lartë se ajo e pjesës tjetër e Evropës. Mosha mesatare e popullsisë është 26 vjeç.) Autoritetet në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, vlerësojnë se popullsia do të arrijë në katër milionë në 15 vjet. Kjo ka domethënie nacionaliste, sepse z. Hoxha në vitin 1981 deklaroi se “jemi gjashtë milionë”, një llogaritje kjo që përfshinte edhe shqiptarët që banonin në Jugosllavi, Turqi dhe Greqi.
Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria ka rihapur me kujdes disa nga portat e saj të mbyllura prej kohësh ndaj Perëndimit. Në të njëjtën kohë, një ndryshim i funksionarëve duket se po ndodh në Tiranë, te njerëzit që hynë në udhëheqjen komuniste 40 vjet më parë si revolucionarë të kohës luftës, duke u zëvendësuar gradualisht me burra dhe gra të rinj e të reja.
Këta trendë, të kombinuar me daljet e rralla publike të z. Hoxha, dhe shëndetin dukshëm të sëmurë të tij, kanë rritur interesin për zhvillimet shqiptare.
Për gati tri dekada, Shqipëria nuk ka lejuar gazetarët amerikanë të hyjnë në vend. Njëzet e një vjet më parë nisa të aplikoj për vizë, për ta vizituar Shqipërinë nga Jugosllavia. Konsulli shqiptar në Beograd ishte i ngrohtë, por ai ishte këmbëngulës në refuzimin e kërkesës. Letrat drejtuar Tiranës ndër vite, mbetën pa përgjigje, megjithëse përfundimisht emri im u vendos në listën zyrtare të propagandës shqiptare. Së fundmi, një kërkesë telefonike drejtuar Misionit Shqiptar në Kombet e Bashkuara, për një takim me një përfaqësues diplomatik, solli këtë përgjigje: “Nuk mund të flasësh – me asnjërin, në cilëndo kohë”.
Ajo që vijon, pra, është bashkim i copave për atë që dihet dhe nuk dihet për Shqipërinë – nga raportet zyrtare të qeverisë së Tiranës, nga raportet e disa studiuesve dhe korrespondentëve perëndimorë që kanë vizituar Shqipërinë, si dhe nga shqiptarët e arratisur në vitet e fundit. Z. Hoxha, kreu i Partisë Komuniste i cili mbushi 76 vjet më 16 tetor, raportohet të jetë aq i sëmurë saqë në daljen e tij të fundit publike, në një tubim sportiv në Tiranë më 20 tetor, për të ecur i duhej ndihma. Mesa duket nuk ka folur në publik që nga fillimi i vitit. Shpeshherë atij i është dashur të shmang detyrat e rëndësishme dhe ka dërguar vetëm “mesazhe përshëndetje”. Prandaj, lindin pyetjet se çfarë mund të ndodhë në Shqipëri pas vdekjes së z. Hoxha. Partia Komuniste e Shqipërisë u formua në Tiranë në vitin 1941, me dy emisarë komunistë jugosllavë që shërbenin si mamia të z. Hoxha, një ish-mësues shkolle, i cili u zgjodh si sekretar i parë i saj. E mban atë post që atëherë – një rekord ky unik në komunizmin evropian.
Në Jugosllavi ka nervozizëm thuajse të dukshëm, nëse Shqipëria post-Hoxha mund të kthehet disi prapa në orbitën e Bashkimit Sovjetik – të shtetit që luajti rol dominues në çështjet shqiptare në vitet 1948-1961. Jugosllavët e shohin si paralajmërim çdo lëvizje të Tiranës për të përmirësuar marrëdhëniet me aleatët sovjetikë – si Hungaria apo Bullgaria. Megjithatë, për vite me radhë, udhëheqja e Hoxhës ka kritikuar në masë të njëjtë Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara, si superfuqi “imperialiste” politikat e të cilave kërcënojnë paqen botërore në përgjithësi dhe që drejtpërdrejtë cenojnë kombet më të vogla.
Ndryshimi më interesant në politikat e jashtme të Tiranës në gati një dekadë, ka qenë hapja e fundit e Shqipërisë ndaj Perëndimit – kryesisht ndaj Italisë e cila pushtoi Shqipërinë në Luftën e Dytë Botërore.
Një marrëveshje e re dhe më e gjerë tregtare u arrit në marsin kaluar në Tiranë, nga Nicola Capria, ministri italian i Tregtisë së Jashtme, dhe nga Shane Korbeci, homologu i tij shqiptar. Gjithashtu, dy qeveritë nënshkruan një marrëveshje kulturore që kërkon ngritjen e katedrës për gjuhën italiane në Universitetin e Tiranës, si dhe mësimin e italishtes në shkollat e mesme shqiptare. Në të njëjtën kohë, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimi midis ATSh-së, Agjencisë Telegrafike Shqiptare, dhe ANSA-s – Agjencisë Italiane të Lajmeve. Me këtë rast, ANSA-s iu mundësia intervista e rrallë e nivelit të lartë nga zëvendëskryeministri Manush Myftiu. Nëntorin e kaluar, Shqipëria hapi shërbimin komercial të trageteve midis portit të Durrësit dhe Triestes. Parashikohet gjithashtu shërbimi me traget përmes ngushticës së Otrantos për në Brindisi. Shqiptarët shprehën gjithashtu interesimin që koncernet italiane të ndërtojnë objektet e reja të telekomunikacionit, një projekt hidroelektrik dhe shumë fabrika në këmbim të mallrave shqiptare.
Megjithatë, ka pengesa të mëdha për të çuar më tej kontaktet e tilla, përfshirë refuzimin e Tiranës të viteve të fundit për të pranuar kredi të huaja, kredi apo ndihmë financiare në çfarëdo forme, si dhe këmbënguljen e saj për kontratat me kohëzgjatje maksimale njëvjeçare. Si rezultat, pjesa më e madhe e tregtisë së saj të jashtme ka marrë formën e shkëmbimit, me shqiptarët që partnerëve tregtarë u ofrojnë krom dhe naftë në këmbim të mallrave të prodhuara. Pak vende perëndimore janë mësuar të bëjnë biznes në këtë mënyrë dhe italianët janë shumë skeptikë ndaj projekteve më të mëdha dhe afatgjata në Shqipëri.
Politika e Shqipërisë me forcat tona, u përfol se ishte në qendër të çarjes së thelluar midis z. Hoxha dhe bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, ish-kryeministrit të ndjerë Mehmet Shehu i cili ose u vra ose u vetëvra gjatë një seance të mbledhjes së Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, në dhjetor të vitit 1981. Vdekja e kryeministrit 73-vjeçar u pasua nga spastrimi i katërt i madh, që nga viti 1948, në rrethin e ngushtë të udhëheqjes. Bashkëpunëtorët dhe të afërmit kryesorë të z. Shehu u arrestuan menjëherë si “armiq të popullit”. Të paktën katër prej tyre – përfshirë ministrin e Mbrojtjes, atë të Brendshëm dhe atë të Shëndetësisë, si dhe shefin e policisë sekrete të qytetit të Vlorës – u ekzekutuan në shtator 1983 nga skuadrat e pushkatimit, kjo sipas shqiptarëve të arratisur në Perëndim.
Pasardhësi i z. Shehu si kryeministër, Adil Çarçani, është 62 vjeç. Në moshën 59-vjeçare, Ramiz Alia, kreu i shtetit dhe pasardhësi i supozuar i kryesisë së partisë së z. Hoxha, është 11 vjet më i ri se paraardhësi. (Ai mund të llogaritet si pjesëtar i revolucionarëve të kohës së luftës, meqë u bashkua me Brigadën e Shtatë Sulmuese kur ishte 19 vjeç. Z. Alia ka shërbyer edhe si ideolog i Partisë.)
Ndryshimi i gardës është më i dukshëm në nivelet e ardhshme të drejtuesve partiakë dhe qeveritarë, me ardhjet e fundit si Lenka Çuko, anëtare e Politbyrosë; zëvendëskryeministri Besnik Bekteshi; si dhe sekretari i Komitetit Qendror të Partisë, Vangjel Çerrava. Të gjithë janë në të dyzetat.
Nikolaos A. Stavrou, profesor i shkencave politike në Universitetin e Harvardit, i cili shkroi tezën e tij të magjistraturës mbi elitën e pushtetit në Shqipëri, thotë se hulumtimi i tij tregon se Komiteti Qendror i Partisë Punës së Shqipërisë ka moshën më të re mesatare nga çdo parti tjetër komuniste, dhe se e ka përqindjen më të lartë të grave në poste të larta. Përveç Lenka Çukos në Politbyro, janë ministrja e Bujqësisë, Themie Thomai; ministrja e Arsimit dhe Kulturës, Tefta Cami; si dhe ministrja e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore, Vito Kapo. Bashkëshortja e z. Hoxha, Nexhmija, prej vitesh ka mbajtur poste kyçe, duke përfshirë edhe drejtimin e Institutit të Marksizëm-Leninizmit – të shkollës së lartë të partisë. Ndonëse është pothuajse e pamundur të mësosh diçka rreth punës së brendshme të udhëheqjes, është gjithashtu e vështirë të marrësh informacion të drejtpërdrejtë për jetën e përditshme në Shqipëri. Turistët – rreth tre mijë në vit – shohin vetëm fragmente të mbikëqyrura me kujdes. Vizitorët që kërkojnë të afërmit, duhet të betohen për heshtje. Historitë e të arratisurve nuk mund të verifikohen lehtë.
Malet e maja-maja dinarike dominojnë Shqipërinë, me plotësisht dy të tretat e vendit në lartësinë mbi 914 metra. Vetëm rreth 13 për qind e tokës është e kultivuar, megjithëse gradualisht më shumë po merret nga skajet moçalore – më parë malarike – të rrafshinave bregdetare. Në malësi, pemët e dushkut, arrës, ahut, pishës dhe bredhit janë të shumta, ndërsa fiku, ulliri dhe agrumet kultivohen në zonat e ulëta që janë të bekuara me klimë të butë.
Jeta është e vështirë, siç ka qenë për shumicën e shqiptarëve ndër shekuj. Java e detyrueshme e punës është 48 orë. Nuk dihet gjë për automobilat në pronësi private. Numri i televizorëve (në vitin 1981 ishin numëruar 45 mijë) po rritet gradualisht. Por, për një vend që kishte vetëm dy radio-transmetues në vitin 1945, përmirësimet në komunikim janë të mëdha. Transmetimet e fuqishme me valë të shkurtra të Radio-Tiranës, të programit të saj në gjuhën angleze, janë krejtësisht të dëgjueshme në këtë vend.
Një botim i kohëve të fundit i revistës qeveritare në gjuhën angleze, “Shqipëria e Re”, në hyrje të Universitetit të Tiranës shfaq një grup të studenteve të veshura me stil, me fustane dhe bluza me lule dhe funde poshtë gjurit. Motrat e tyre më të vogla shfaqen në fotografi të tjera të veshura me jake me dantella, përparëse të zeza, çorape të bardha dhe sandalet me rripa të kuq. Në një tubim të veteranëve të luftës, vajzat më të vogla shfaqeshin me fustane të bardha me yje të mëdhenj të kuq. Hartmut Albert, studiuesi gjerman i cili kohët e fundit ka kaluar katër javë në Shqipëri, ka bërë me dije në një ese: “Stili i veshjes është relativisht modest, i thjeshtë, pa aksesorët e duhur të modës – madje edhe për gratë. Gjatësia e fundeve përcaktohet nga norma goxha strikte, por kohët e fundit ka pak tolerancë”.
Ndryshe nga e kaluara, meshkujt rrallëherë mbajnë mjekër. Vizitorët meshkuj nga Perëndimi, që kanë flokë të gjata, ka të ngjarë t’i nënshtrohen berberit me të mbërritur në kufi ose në Aeroportin e Tiranës.
Me gjithë ashpërsinë, çfarë duhet thënë për poezinë komike dhe pa rimë të Dritëro Agollit, të kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë, botuar në revistën “Drita”! Poezia e titulluar “Antiborgjezët e vegjël”, thotë:
Vajtimet nihiliste,
sa shumë i urrej!
Vajtimi: Ah! Pse ata
nuk bëjnë brekë të dekoruara
me dantella mëndafshi;
Vajtimi: Ah! Shpinat tona
janë të përkulura nga kursimi,
kursimi dhe më shumë kursim;
Vajtimi: Ah! Për një rosë
i pjekur në furrë mikrovale.
Z. Agolli vazhdon duke folur për udhëtimet jashtë vendit, “pa marrë parasysh se ku”, për vilat dhe bukuritë buzë detit, ndërsa më pas denoncon hedonistët të cilët lakmojnë si “krijesa kretene”. Me sa duket, ka një klasë të re të vogël të burokratëve që kanë ka arritur të sigurojnë një luks relativ.
Profesori Albert, gjatë qëndrimit të tij ishte i impresionuar nga ato që ai e quajti “shprehje të krenarisë pothuajse euforike për përparimin teknik “.
“Dëshmia për këtë”, vazhdoi ai, “përfshin rëndësinë e Ekspozitës së përhershme mbi Prodhimin dhe Teknologjinë Industriale Shqiptare në Tiranë, krenarinë për disa qendra prodhuese, suksesin në eksportimin e naftës dhe të energjisë elektrike”. Prodhimi i naftës tani arrin në rreth tre milionë e gjysmë tonelata në vit.
Ndërmarrja private është jashtëzakonisht e kufizuar. Pronarët e shtëpive mund të kultivojnë një zonë të vogël rreth shtëpive të veta ose të mbajnë kafshë për nevoja shtëpiake. Çdo tepricë e vogël mund të shitet në tregun lokal, por “vetëm me çmimet e detyrueshme të përcaktuara nga shteti”, raporton Dr. Alberti. Në qytete, pazaret janë të shumta, si kudo në Ballkan ku dikur sundonin turqit.
Deri tash, si vend me qytete të vogla, Shqipëria po i zhvillon qendrat urbane. Kryeqyteti, i cili kishte rreth 25 mijë banorë më 1939, tani ka 200 mijë banorë. Shkodra, qyteti i dytë, po shkon në 100 mijë banorë.
Në vitin 1967, udhëheqja shqiptare filloi një fushatë për eliminimin e kishave nga jeta publike – në një vend që para Luftës së Dytë Botërore kishte 70 për qind myslimanë, 20 për qind ortodoksë dhe 10 për qind katolikë – me qëllimin e deklaruar për krijimin e “shtetit të parë ateist” në botë. Katër priftërinj françeskanë u dogjën për vdekje në vitin e parë dhe, në vitin 1972, një prift shkodran u ekzekutua sepse kishte pagëzuar një fëmijë. Xhamitë dhe kishat, në pjesën më të madhe u kthyen në ndërtesa laike.
Profesor Alberti shkruan se në Muzeun Ateist të Shkodrës, ai ka parë një ekspozitë grafike që shfaqte 150 xhami vetëm në rajonin e Shkodrës – përpara se të fillonte fushata e shekullarizimit. Por, numëroi vetëm 10 xhami gjatë muajit të udhëtimit nëpër vend. Feja e organizuar, në fakt, ka kaluar në ilegalitet në Shqipëri, megjithëse vizitorët raportojnë se kanë parë myslimanë të gjunjëzuar në fshat që luteshin në perëndim të diellit.
Duke gjykuar nga raportimet e të arratisurve, minoriteti grek në Shqipëri është goditur veçanërisht rëndë nga nxitja e shekullarizimit. Por, është Papa Gjon Pali II ai që ka bërë deklaratën më të fortë për situatën e fesë në vitet e fundit. Duke folur më 26 shkurt në Bari të Italisë, nga ana tjetër e Adriatikut, Papa shprehu shqetësimin për liritë fetare në Shqipëri dhe tha: “Mendimet e mia shkojnë te vëllezërit tanë në Shqipëri, të cilët nuk mund të demonstrojnë hapur besimin e vet fetar”.
Në muajt e fundit, qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar marrëdhëniet me dy fqinjët e saj të afërt, me Greqinë dhe Jugosllavinë, raporte këto që ishin në gjendje shumë të keqe për shkak të problemeve të minoriteteve në të dy anët e kufijve.
Që nga viti 1981, një numër i madh i shqiptarëve në Jugosllavi – janë rreth 1.7 milion – kanë kërkuar republikë të veçantë. Regjimi i Hoxhës ka shprehur simpati të ngrohtë, duke e shtuar nervozizmin e Beogradit. Ekziston një irritim shtesë për atë se rreth 40 mijë sllavo-maqedonas banojnë në Shqipërinë lindore, ku të drejtat e tyre si pakicë mezi njihen. Megjithatë, jugosllavët, të shqetësuar për drejtimin që mund të marrë Shqipëria kur të përfundojë epoka e Hoxhës, janë angazhuar për investimet që mund të krijojnë hapësirë më të madhe për interesat midis dy vendeve. Ato përfshijnë hapjen e një linje hekurudhore. Jugosllavia mbetet partneri më i madh tregtar i Shqipërisë, me një vëllim të dyanshëm prej rreth 112 milionë dollarëve të parashikuar për vitin 1984.
Në përpjekjen për të përmirësuar klimën, një delegacion nga Tirana shkoi në Beograd në fund të qershorit, për të hartuar një marrëveshje të bashkëpunimit në shkencë, arsim dhe teknologji. Një koment jugosllav në të përditshmen “Delo”, vuri në dukje se bisedimet filluan në kohën kur “Shqipëria u bë sërish më e vetëdijshme për izolimin e saj dhe kur përpiqet të krijojë lidhje me disa partnerë të huaj të zgjedhur me kujdes (për shembull, Italia)”. Megjithatë, muajin e fundit u ndërprenë bisedimet në Beograd, pjesërisht për shkak të mosmarrëveshjes mbi statusin e pakicave jugosllave të Shqipërisë.
Në rastin e Greqisë ka po ashtu mosmarrëveshje për pakicat nga të dyja palët. Athina shpreh keqardhjen për persekutimin, veçanërisht për arsye fetare, të grekëve etnikë në Shqipëri të cilët numërojnë të paktën 40 mijë dhe ndoshta dy ose tre herë më shumë. Nga ana e saj, Shqipëria pohon se Greqia diskriminon disa mijëra shqiptarë etnikë që jetojnë në Greqinë veriore. Të dy vendet janë ende teknikisht në gjendje lufte, si pasojë e mosmarrëveshjeve kufitare në fund të Luftës së Dytë Botërore. Kur kryeministri i Greqisë, Andreas Papandreu, deklaroi në shkurt se grekët etnikë të Shqipërisë ishin në “situatë të rëndë”, shqiptarët u përgjigjën se kjo ishte “ndërhyrje në punët e brendshme”.
Përsëri, në javën e fundit të qershorit, Tirana dërgoi një delegacion në Athinë, me zëvendësministrin e Jashtëm Muhamet Kapllani, për bisedimet që përfunduan me inicimin e marrëveshjes për hapjen e dy pikave kufitare, ngritjen e një katedre të studimeve greke në kolegjin e Gjirokastrës (vendlindja e z. Hoxha) dhe nxitjes së tregtisë. Zyrtarët grekë thonë se gjendja e luftës mes dy vendeve mund të përfundojë në muajt e ardhshëm.
Ka një dimension tjetër në marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët – fluksi i refugjatëve. Në vazhdën e trazirave të minoritetit shqiptar në provincën jugosllave të Kosovës, disa të rinj etnikë shqiptarë kaluan përtej kufirit për të kërkuar azil në atdhe. Me shumë pak përjashtime, ata u kthyen duke u thënë autoriteteve jugosllave – pas kthimit – se ishin mbajtur sërish të izoluar brenda Shqipërisë, thuajse mund të kontaminonin njerëzit me idetë perëndimore. Sigurisht që standardi i jetesës në Kosovë, edhe pse më i ulëti në Jugosllavi, është ende më i lartë se në Shqipëri, në vendin që ka të ardhurat me rreth 550 dollarë në vit për kokë banori. Shqiptarët etnikë të Jugosllavisë gjithashtu gëzojnë liri shumë më të madhe sesa kushërinjtë e tyre shqiptarë.
Në muajt e fundit, numri i shqiptarëve të arratisur në Jugosllavi dhe Greqi është rritur shumë. Sipas një zyrtari të Beogradit, numri që arrin në Jugosllavi, që nga fillimi i vitit, është “me qindra”. Duke marrë parasysh se sa fort Sigurimi i Shqipërisë – policia sekrete – ruan kufijtë dhe kontrollon brendësinë, ky numër është pothuajse i pabesueshëm. Greqia gjithashtu ka raportuar për një numër në rritje të të arratisurve nga Shqipëria – së fundi kur dy motra notuan gjashtë milje deri në ishullin e Korfuzit, më 29 korrik. Disa nga këta të arratisur janë grekë etnikë.
Shumë prej të arratisurve tregojnë se kanë kryer dënime, në bazë të akuzave politike, në burgjet e Shqipërisë. Profesor Stavrou, vetë i arratisur dhe që është grek etnik, në një ese mirë të dokumentuar të vitit 1983, arrin në përfundimin se regjimi i Hoxhës mbante “gjithsej 40 mijë të burgosur politikë” – rreth dy mijë e pesëqind prej tyre ish-anëtarë të regjimit, të dyshuar se ishin “pro-sovjetikë” ose, në numër më të vogël, “pro-kinezë”.
Vitet e fundit, vetëm 35 për qind e vëllimit vjetor të Shqipërisë – prej më shumë se 600 milionë dollarë në tregtinë e jashtme – ka qenë me vendet e bllokut sovjetik. Por, Tirana në mënyrë selektive ka kërkuar të zgjerojë shkëmbimet e saj me disa, përfshirë Rumaninë, politika e jashtme e së cilës – disi e pavarur – është simpatike ndaj asaj të Shqipërisë, si dhe me Hungarinë. Zyrtari më i lartë i Evropës Lindore që u prit në Tiranë në kohët e fundit, në nëntorin e kaluar, ishte ministri i Tregtisë së Jashtme të Rumanisë, Vasile Pungan. Studiuesit si Dr. Albert dhe Millutin Garashanin nga Universiteti i Beogradit, raportojnë për një ndjenjë shumë të shtuar të identitetit kombëtar në Shqipëri. Gjermani i Perëndimit vëren përpjekjen e shtuar për të hequr provat e sundimit turk, duke përfshirë zëvendësimin e fjalëve turke me fjalë të “pastra” shqipe. Dr. Garashanini, profesor i arkeologjisë në Universitetin e Beogradit, i cili është i specializuar në periudhën parakristiane ilire, vuri në dukje: “Çdo nacionalizëm ka fazën romantike dhe fazën tij agresive dhe shpërthyese. Tash për tash, këta janë shqiptarët”.
Theksi mbi temat nacionaliste është mjaft i ri. Vetëm në vitin 1968 u ngrit në Tiranë një statujë në përkujtim të Skënderbeut, princit të shekullit XV i cili i luftoi turqit dhe gati e çliroi vendin, duke u bërë heroi i padiskutueshëm i të gjithë shqiptarëve. Dhe, vetëm vitin e kaluar u hap Muzeu Historik Kombëtar. Megjithatë, kostumet kombëtare po zhduken me shpejtësi nga jeta e përditshme dhe mund të shihen kryesisht në shfaqjet e trupave të vallëzimit popullor ose në rastet ceremoniale – si funeralet. Për dallim nga kjo, anëtarët e pakicës shqiptare në Jugosllavinë fqinje i përdorin kostumet kombëtare si elemente të zakonshme të veshjes.
Vizitorët, duke përfshirë Dr. Albertin, thonë se ishin të mahnitur nga shkalla e punës në grup nën sistemin komunist në Shqipëri. Por, edhe fuqia e fisit, tradita më e shquar e Shqipërisë, mbetet e fortë.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara, e cila dikur mendonte se dinte mjaftueshëm për të përmbysur z. Hoxha – midis viteve 1947 dhe 1952, Shtetet e Bashkuara dhe Britania dërguan një sërë agjentësh në Shqipëri, të cilët pa sukses u përpoqën për të organizuar një kryengritje – ka mbetur thellësisht injorante ndaj çështjeve shqiptare. Në prill të vitit 1973, për shembull, zëvendëssekretari i Shtetit, Kenneth Rush, u autorizua të bënte një hap nga Uashingtoni drejt Tiranës, duke thënë se Shtetet e Bashkuara ishin të përgatitura për të diskutuar fillimin e marrëdhënieve. Muaj më vonë, Uashingtoni mësoi se në kohën e ofertës z. Hoxha po e kryente një spastrim tjetër të elementëve properëndimorë dhe prosovjetikë.
Nga më shumë se 40 librat e fjalimeve dhe të kujtimeve të tij të botuara, duket se z. Hoxha është veçanërisht i hidhëruar për mbështetjen amerikane dhe britanike për paraardhësin e tij të afërt, Mbretin Zog I. I lindur më 1895, Ahmed Bej Zogu mori pushtetin në vitin 1925 si president, e kurorëzoi veten për mbret tri vjet më vonë, ndërsa iku në kohën e pushtimit italian më 1939. U shpall i përmbysur nga komunistët nën z. Hoxha, në vitin 1946, dhe vdiq në mërgim – në Francë më 1961.
Dy vjet më parë, z. Hoxha shkruante: “Ka disa, imperialistë dhe lakenjtë e tyre, që thonë se jemi izoluar nga ‘bota e qytetëruar’. Këta zotërinj e kanë gabim. Si historia e hidhur e vendit tonë në të kaluarën, ashtu edhe realiteti i ‘botës’ që ata reklamojnë, na kanë bindur se nuk është aspak një ‘botë e qytetëruar’, por një botë në të cilën më i madhi dhe më i forti shtyp dhe godet më të voglin dhe më të dobëtin, botë në të cilën paratë dhe korrupsioni bëjnë ligjin, ndërsa triumfojnë padrejtësia, tradhtia dhe goditja prapa shpine”. Megjithatë, nën sundimin e hekurt të z. Hoxha, Shqipëria ka filluar tentativën që të shtrijë dorën, duke dërguar studentë në Francë, Austri, Suedi, ndërsa Italia është duke kërkuar partnerë të rinj tregtarë. Pas vdekjes së tij mund të shfaqet një lloj tjetër i Shqipërisë.
Për të paktën një mijë vjet dhe ndoshta për tre mijë vjet, ky popull i shquar ka arritur të ruajë ndjenjën e identitetit të rrënjosur në poezinë epike dhe në zakonet popullore. Në shekullin e kaluar ka filluar të marrë veten – pa dyshim me ndihmën e të huajve, të albanologëve gjermanë, të fuqive të mëdha të kohës për shtetësinë e tyre, por më në fund me vullnetin e vetë shqiptarëve.
Z. Hoxha ua ka ngulitur shqiptarëve idenë se izolimi i tyre nga bota dhe veçanërisht nga fuqitë e mëdha është forma kryesore e tyre e sigurisë kombëtare. Fakti që lidershipi i Tiranës ka filluar të kërkojë më shumë përfshirje te fqinjët dhe fuqitë e tjera të huaja, edhe kur z. Hoxha është ende në pushtet, duket se parashikon një lloj tjetër Shqipërie në dekadat e ardhshme.