Edicioni i sivjetshëm i Kupës së Maqedonisë së Veriut pasditën e sotme sjell gjysmëfinalen e parë, me Shkupin që pret Tikveshin në Çair.
Bardhekaltërit pas triumfit në derbin e kryeqytetit ndaj Vardarit, kërkojnë të marrin rezultat pozitiv në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës, ku Shkupi nuk fsheh ambiciet që lufton për dy tituj këtë sezon.
Skuadra nga Çairi për të prekur gjysmëfinalen, eliminojë Rabotniçkin nga kjo garë, përderisa Tikveshi ishte më e mirë se Brera Strumica në fazën çerekfinale.
Takimin me Tikveshin e ka paralajmëruar Emanuel Gronner nga radhët e FC Shkupit, i cili mes tjerash ka thënë se do të bëjnë gjithçka që këtë trofe të Kupës ta sjellin në Çair.
“Kemi fituar shumë besim dhe eksperienca të mira nga ndeshja e të shtunës së kaluar. Ne i kishim tifozët në mbështjetje, gjë që tregon se jemi klubi më i madh dhe njerëzit na duan. Duke qenë se ka një kohë të shkurtër mes këtyre ndeshjeve, këto ditë kanë qenë për rikuperimin. Është gjysmëfinalja e kupës dhe mezi presim ndeshjen, ku futemi me ambicie të mëdha për ta fituar këtë titull. Kanë kaluar shumë vite që nuk e kemi fituar kupën dhe jemi shumë të motivuar për këtë ndeshje. Do të bëjmë gjithçka për ta sjellë këtë trofe në shtëpi. Po hyjmë në këtë lojë me një ndjenjë pozitive, jemi të fokusuar dhe thjesht duhet të punojmë si ekip dhe atëherë të gjithë e kuptojnë se sa i fort është Shkupi. Thjesht mezi po e presim ndeshjen”, ka thënë Gronner.
Ndeshja ndërmjet Shkupit dhe Tikveshit do të luhet sot pasdite në stadiumin e Çairit, duke nisur nga ora 15:00.