Shkup, 21 mars – Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se kompanitë vendore për të marrë pjesë në tregun e NATO-s duhet t’i plotësojnë kushtet në bazë të ligjeve vendore.
Në vitin 2021 Ministria e Mbrojtjes ka krijuar një Qendër për Mbështetjen e Kompanive për pjesëmarrjen në Tenderët e Aleancës, e cila ofron mbështetje të plotë dhe gjithëpërfshirëse për çdo kompani vendase që do të shfaqë interes.
Operatorët ekonomikë që dëshirojnë të marrin pjesë në procedurat lidhur me prokurimet për nevojat e NATO-s dhe vendeve anëtare të saj, regjistrohen në evidencën e operatorëve ekonomikë që mbahet nga Ministria e Mbrojtjes.
Megjithatë, brenda katër vjetëve në evidencën elektronike të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila e ka fjalën e fundit se cilat kompani mund të konkurrojnë në tregun e Aleancës Veri-Atlantike, figurojnë vetëm 44 kompani nga sektorë të ndryshëm si ajo ushqimore, prodhimi i pajisjeve mbrojtëse, ndërtimtarisë dhe organizmi i ngjarjeve etj.
Procedura e regjistrimit në regjistrin elektronik të Ministrisë së Mbrojtjes si kompani që mund të konkurrojë në tenderët e Aleancës nuk zgjat më shumë se 30 ditë.
“Një nga qëllimet kryesore nga aktivitetet që i ndërmarrim është që të dëshmojmë se kompanitë maqedonase kanë produkte dhe shërbime cilësore që mund të jenë konkurruese në tregun e NATO-s”, kanë theksuar për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut duke shtuar se nga vetë kompanitë varet se në ç’nivel do t’i avancojnë kapacitet e tyre për të mos e lëshuar këtë mundësi.
Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, në dhjetor të vitit të kaluar gjatë një vizite kompanisë për prodhimin e pajisjeve dhe armatimeve mbrojtëse dhe ushtarake, e cila është e regjistruar për pjesëmarrje në tregun e NATO-s, kishte thënë se interesimi i kompanive maqedonase për tregun e NATO-s, është në rritje.
“Sfida jona e përbashkët mbetet rritja e pjesëmarrjes në tregun e NATO-s. E vetëdijshme se çdo fillim është i vështirë, Ministria e Mbrojtjes është një partner i cili është i gatshëm të ndihmojë kompanitë, që në këtë treg të kenë qasje më të thjeshtë, më efikase dhe më të suksesshme”, kishte thënë Petrovska.
Brenda katër vjetësh vetëm dy kompani sigurojnë tender në tregun e NATO-s
Me gjithë ndihmën nga Ministria e Mbrojtjes për katër vjet vetëm dy kompani të Maqedonisë së Veriut kanë arritur të dalin fituese në tenderët e NATO-s. Këto dy kompani kanë nënshkruar tri marrëveshje në sektorin e ndërtimtarisë dhe organizimin e ngjarjeve.
Nga Oda Ekonomisë theksojnë se deri më tani asnjë nga anëtaret e saj nuk ka rritur që në formë direkte të marrë tender për furnizimin e Aleancës me ndonjë produkt të caktuar.
Gjatë vitit 2022, në kuadër të Odës Ekonomike në Maqedoninë e Veriut, ishte formuar Shoqëria e Biznesit të NATO-s që ka për detyrë të informojë dhe ndihmojë kompanitë maqedonase të interesuara për të marrë pjesë në tenderët e Aleancës Veri-Atlantike.
Shoqërinë e Biznesit në NATO e drejton kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski.
Fajin për rezultatin e dobët të pjesëmarrjes së kompanive maqedonase në tregun e NATO-s, nga Oda Ekonomike ia hedhin mungesës së bashkëpunimit të kompanive vendore mes vete dhe me kompanitë e huaja, që të jenë konkurruese në një treg aq të madh sa është ai i Aleancës.
“Pikërisht ky është problemi kryesor: mungesa e përvojës dhe e lidhjes me kompanitë e huaja që tashmë janë të pranishme në tregun e NATO-s. Në përputhje me praktikën e tyre, pra si funksionon i gjithë ky sistem, tenderët e prokurimit fitohen nga furnitorë të mëdhenj, të cilët më pas lidhin marrëveshje me kompani të caktuara nga rajoni të regjistruara në sistemin e NATO-s. Problemi kryesor për kompanitë vendase është mungesa e informacionit se cilat kompani të huaja janë përfshirë në ata tenderë, në mënyrë që ato të lidhen me to si nënkontraktorë”, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë nga Oda Ekonomike.
“Është e nevojshme të trajnohen kompanitë vendase në këtë drejtim, të krijohet një organ i posaçëm në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes që do të punojë vetëm për këtë çështje dhe të delegojë një përfaqësues nga shteti në Agjenci, i cili do të japë informacion me kohë dhe do të ndihmojë në rrjetëzimin e kompanive vendase me ato nga vendet e NATO-s që tashmë janë të pranishme atje dhe me të cilët prodhuesit tanë do të mund të bashkëpunojnë”, thonë nga Dhoma e Tregtisë.
Në evidencën elektronike të Ministrisë së Mbrojtjes për tregun e NATO-s gjatë vitit 2021 janë regjistruar 8 kompani, ndërsa në vitin 2022 janë regjistruar 11, vitin e kaluar, më 2023 janë regjistruar 21 kompani ndërkohë gjatë dy muajve të parë të vitit 2024 janë regjistruar 4 kompani.