Shërbimet janë online, por administrata vazhdon të zgjerohet dhe të zgjasë pushimet

E premtja duhet të ishte një ditë normale pune, por administrata e ka pushim, sipas një vendimi të fundit  të Këshillit të Ministrave. E premtja pasoi të enjten, që ishte festa zyrtare e Ditës së Verës.

Pas katër ditë pushimi, institucionet zyrtare do të jenë në shërbim të publikut dhe bizneseve ditën e hënë.

Ndërkohë që shumë shërbime në fakt janë bërë online, duke minimizuar kontaktin fizik dhe radhët, sërish numri i të punësuarve në sektorin shtetëror erdhi në rritje.

Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e fundit në institucionet shtetërore kishte 182 mijë të punësuar, ose rreth 2400 persona më shumë se në tremujorin e mëparshëm.

Ndërsa në krahasim me tremujorin e katërt 2022, numri i tyre ka mbetur pothuajse i pandryshuar. Në krahasim me pesë vjet më parë janë rreth 9 mijë persona më shumë që punojnë në administratë.

Në total mbi 730,6 mijë të punësuar në tremujorin e fundit të vitit 2024 kanë paguar sigurime shoqërore.

Në sektorin privat ku u numëruan 549,288 të punësuar me sigurime ose 2 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022.

Në tremujorin e katërt 2023 në raport më 3-mujorin e tretë të vitit të punësuarit me sigurime u reduktuan me 6700 persona ose me 1 për qind. Kjo për shkak se në tremujorin e tretë të vitit aktiviteti ekonomik në vend ishte në kulmin e tij prej sezonit turistik.

Të punësuarit në sigurime po vijnë në rritje, por ritmet janë të ulëta në krahasim me treguesit e tjerë ekonomik. Nga viti 2019 më 2023 të deklaruarit me sigurime janë 49 mijë më shumë, ose me rritje 7%, por ndërkohë gjatë kësaj periudhe ekonomia është zgjeruar me mbi 14%.

Rritja e ekonomisë teorikisht do të thotë më shumë vende pune, por në rastin e Shqipërisë këto dy tregues nuk kanë shkuar në raporte të drejta me njëri – tjetrin. Gjatë periudhës së tranzicionit rritja ekonomike nuk ka qenë gjenerator i madh i punësimit.

Teksa ekonomia e vendit po rritet me ritme më të shpejta se dekada që lamë pas, janë duke u bërë hapa të ngadalta në drejtim të informalitetit në tregun e punës dhe informalitetit në përgjithësi.

Forca e punës është drejt shterimit prej rënies së lindjeve dhe emigracionit të lartë, ndaj reduktimi i informalitetit mbetet burimi kryesor për të gjeneruar të ardhura për skemën e pensioneve në të ardhmen, të cilat janë të domosdoshme për një armatë pensionistësh në rritje.

Në vitin 2022, punësimi informal në sektorin jobujqësor është 28,2%, duke shënuar një rritje me 1,2 pikë përqindje krahasuar me vitin 2021, raportoi iNSTAT.

Burimet nga tregu pohojnë se informaliteti në tregun e punës u favorizua nga rritja tre herë rresht brenda vitit e pagës minimale.

Shqipëria po shkon drejt një tranzicioni demografik. Deri në vitin 2070, pesha e të moshuarve pritet të arrijë në 40 për qind të popullsisë në krahasim me vetëm 17 për qind sot.

Në të njëjtën periudhë popullsia e në moshë pune (25-64) parashikohet të bjerë nga 54 aktualisht në 41 për qind më 2070. Në rishikimin e fundit të Marrëveshjes me Shqipërinë Fondi Monetar vë në dukje se, gjeneratat e ardhshme të pensionistëve shqiptare rrezikojnë varfërinë për shkak se nuk përmbushin kriteret për përfitimin e pensionit të plotë.

Informaliteti në tregun e punës sot do të shfaqet me pasoja negative në të ardhmen afatgjatë. FMN referoi se në qershor 2022 rreth 1.7 milionë njerëz ne Shqipëri ishin të moshës 15-64 vjeç, prej të cilëve rreth 38 për qind po kontribuonin tek skema e pensioneve dhe pjesa tjetër 60 për qind nuk ishin as kontribuues dhe as pensionistë dhe rreth 4 për qind ishin pensionistë.

Hot this week

Rënie prej 1.2 për qind të prodhimit industrial në muajin prill

Shkup, 31 maj - Prodhimi industrial në prill të këtij...

Rruga Prizren -Tetovë po fillon të ndërtohet

Prizren, 2 gusht - Sot janë nënshkruar kontratat për...

Deputeti Nikollë Camaj kujton jetën dhe veprën e atdhetarit Rrok Dedvukaj

Sot, në Amerikën e largët, i jepet lamtumira e...
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Related Articles

spot_imgspot_img