Kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes me ministrat e qeverisë dhe 61 kryebashkiakëve të të gjithë vendit, takim pune i cili u zhvillua në Shkodër, deklaroi se ka një nevojë të madhe për rritjen e ritmit, si dhe përshpejtimit të procesit të modernizimit të qeverisjes”.
Gjatë një konference për shtyp, Rama bëri një paraqitje të takimit duke informuar se “sot kemi pasur një takim të zgjeruar të qeverisë me kryetarët e bashkive dhe me një sërë drejtuesish të disa agjencive që janë të lidhura edhe me funksionimin e pushtetit vendor dhe kemi diskutuar për një sërë temash me rëndësi, të cilat përbëjnë edhe pikat e referimit për ecurinë e mëtejshme të procesit anëtarësimit në BE.
Sipas tij, ky është një proces që kërkon angazhim, këmbëngulje dhe kërkon rezultate nga të gjithë, jo thjesht vetëm nga qeveria.
“Nuk integrohet qeveria në BE, integrohet Shqipëria. Kjo do të thotë që puna e qeverisë është shumë e rëndësishme, por është një pjesë e punës, siç është një pjesë e punës puna e parlamentit, siç është një pjesë e punës puna e pushtetit gjyqësor, siç është një pjesë tjetër e punës, puna e pushtetit vendor, siç është një pjesë tjetër e punës, puna e sektorit privat, e medias e kështu me radhë”, tha Rama.
Rama: Nuk ka negociata me opozitën për komisionet hetimore, sa kohë që kërkesat janë jashtë kornizës ligjore
Rama, në lidhje me aludimet për negociata mes PS dhe ‘Rithemelimit’ për komisionet hetimore deklaroi se ata të cilët komentojnë marrëveshje për ngritjen e disa komisioneve hetimore bëjnë sikur nuk kuptojnë apo nuk kuptojnë se PS e ka thënë shumë kohë më parë dhe është e njëjta gjë që përsëritet.
“Ne nuk kemi refuzuar dhe nuk kemi shkelur asnjë të drejtë për ngritjen e komisioneve hetimore. Ne kemi refuzuar të votojmë iniciativa që, në emrin e komisionit hetimor, shkelnin kornizën e mirë përcaktuar nga vendimet e GJK. E kemi thënë dhe e përsërisim prapë: kjo nuk është çështje negociatash, por të drejtash. Opozita apo opozitat, kanë të drejtë të ngrenë një komision, por duhet të jetë brenda kornizës së mirë përcaktuar nga vendimet e GJK.”, tha Rama.
‘Beleri’, Rama: Do presim Apelin, zgjedhjet në Himarë i shpall Presidenti
Kryeministri Rama ka folur edhe për vendimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme për kryebashkiakun e Himarës, Fredi Belerin, i cili është dënuar me 2 vite burg për blerje votash në zgjedhjet vendore të 14 majit në Himarë.
Duke komentuar reagimet e ardhura nga Greqia në lidhje me këtë çështje, Rama tha se drejtësia shqiptare duhej të ishte lënë e qetë në procesin e vendimmarrjes për një ngjarje që ka ndodhur brenda territorit të vendit tonë.
“Do kishte qenë fort e udhës që drejtësia shqiptare të ishte lënë e qetë, siç kemi lënë ne të qetë çështjet brenda cilido vendi jashtë Shqipërisë. Është drejtësia shqiptare që vendos për çdo çështje brenda territorit. Zotëria është shtetas i Shqipërisë. Për ne që nuk komentojmë veprime tingëllon cingërrisëse që dëgjojmë zëra që komentojnë në gjuhë të huaj vendime të gjykatave të Shqipërisë”, tha Rama.
Sa i takon mundësisë që të organizohen zgjedhje të tjera në Himarë për një kryebashkiak të ri, Rama tha se duhej pritur vendimi i Apelit të GJKKO-së për diçka të tillë. Ai sqaroi se njoftimin për këtë e bën presidenti.
“E dini shumë mirë këtë çështje, e dini pse nuk kemi pasur zgjedhje. Ka qenë thjesht dhe vetëm një qasje e vullnetit të mirë nga ana e Shqipërisë. Do presim vendimin e apelit dhe pastaj do veprohet. Por kujtoj se zgjedhjet e reja i shpall Presidenti dhe jo kryeministri. Është një proces që do ndjekë gjithë procedurën sipas ligjit”, shtoi kryeministri.
Rama: Do të ketë rivlerësim të nivelit të pagave të bashkive
Rama, pas mbledhjes që pati me kryebashkiakët dhe ministrat në Shkodër tha se do të ketë edhe një riorganizim të bashkive sa i takon pagave të punonjësve.
Kryeministri tha se do të ketë vetëm 2 nivele nga 5 që kanë qenë, sa i takon pagave, duke theksuar se kjo do të bëjë që bashkitë të kenë mundësi të punësojnë specialistë me paga të konsiderueshme.
“E kemi domosdoshmëri rivlerësimin e nivelit të pagave të bashkive, sepse sot bashkitë e Shqipërisë janë të ndara në 5 nivele, duke u bazuar tek numri i banorëve. Do të kalojmë në 2 nivele dhe do bëjmë një rritje të pagave për t’i përafruar mundësitë e shpërblimit të punonjësve në bashkitë e nivelit të dytë me ato të nivelit të parë. Ajo që po përjetojnë sot një pjesë e bashkive është se nuk arrijnë dot të punësojnë specialistë në fusha të caktuara për shkak të pagës së ulët dhe pozicionit të tyre gjeografik”, tha Rama.