Begaj pret mësues pensionistë nga i gjithë vendi: Jeni ndërtues të së nesërmes me një mision të shenjtë për vendin

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mirëpriti në Ditën e Mësuesit në ambientet e Institucionit të Presidentit mësues në pension me kontribute të jashtëzakonshme në arsimin Shqiptar.

Presidenti Begaj i shprehu atyre vlerësimin dhe falenderimin në emër të shoqërisë shqiptare për rolin që ata kanë luajtuar në edukimin e brezave me dashuri për gjuhën,arsimin,atdheun.

Begaj tha se sot, më shumë se kurrë, nevojitet urtësia, përvoja dhe dashuria juaj për mësimdhënien.

“Ndërsa ndërtojmë një të ardhme arsimore që përpiqet të jetë gjithëpërfshirëse, e drejtë dhe inovative, ne duhet të gjejmë frymëzim tek ju, te shembulli që jepni çdo ditë në kryrjen  e misionit tuaj me sakrifica, por dhe dashuri për filizat e së ardhmes. Ju jeni dëshmia se mësuesit janë, në të vërtetë, ndërtuesit e së nesërmes”, u shpreh Presidenti i Republikës para mësuesve në pension.

Fjala e plotë e Presidentit Begaj:

Më poshtë fjala e plotë Presidentit Begaj në këtë aktivitet.

Të nderuar mësues,

Zonja dhe zotërinj,

Sot, ndërsa qëndrojmë këtu së bashku, dua t’a nis me një fjalë të thjeshtë por të ngarkuar me emocione: Faleminderit!

Faleminderit që keni qenë dhe vazhdoni të jeni kolonat mbi të cilat u ndërtua dhe po rritet sistemi ynë arsimor. Ju, me përkushtimin, pasionin dhe dashurinë tuaj ndaj mësimdhënies, keni ndezur shkëndijat e kureshtjes dhe njohurisë në zemrat e shumë brezave. Historitë tuaja, përvojat dhe mësimet që keni ndarë, janë trashëgimi e çmuar që vijon të frymëzojë breza të tërë.

Në këtë udhëtim të gjatë dhe të ndërlikuar që quhet edukim dhe arsim, ju keni qenë jo thjesht mësues, por edhe edukatorë dhe mentorë për shumë nxënës që sot e kësaj dite ju kujtojnë me mirënjohje dhe dashuri. Roli juaj në formimin e karaktereve dhe në ndërtimin e një shoqërie të ditur dhe të përgjegjshme nuk mund dhe nuk duhet të nënvlerësohet.

Përmes përkushtimit tuaj, keni treguar se arsimi nuk është thjesht transmetim njohurish, por një mision i shenjtë për të përcjellë dijen dhe vlerat më të mira të popullit tonë – shqiptarinë.

Sot, më shumë se kurrë, nevojitet urtësia, përvoja dhe dashuria juaj për mësimdhënien. Ndërsa ndërtojmë një të ardhme arsimore që përpiqet të jetë gjithëpërfshirëse, e drejtë dhe inovative, ne duhet të gjejmë frymëzim tek ju, te shembulli që jepni çdo ditë në kryrjen  e misionit tuaj me sakrifica, por dhe dashuri për filizat e së ardhmes. Ju jeni dëshmia se mësuesit janë, në të vërtetë, ndërtuesit e së nesërmes.

Le të vazhdojmë të ndërtojmë mbi themelet që keni vendosur, duke ruajtur vlerat tradicionale që na kanë orientuar deri këtu, por duke përqafuar edhe metodat dhe teknologjitë e reja që na çojnë përpara.

Në fund të ditës, ajo që na bashkon të gjithëve është dashuria për vendin dhe besimin në fuqinë e arsimit dhe përcjelljes së dijes nga brezi në brez për të ndryshuar jetë.

Ju i keni dhënë jetës suaj një qëllim të lartë, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në zemrat dhe mendjet e atyre që keni mësuar. Për këtë, ju do të mbaheni mend gjithmonë si krenari dhe heronj të shoqërisë sonë!

Ju faleminderit nga zemra!

Hot this week

Rënie prej 1.2 për qind të prodhimit industrial në muajin prill

Shkup, 31 maj - Prodhimi industrial në prill të këtij...

Rruga Prizren -Tetovë po fillon të ndërtohet

Prizren, 2 gusht - Sot janë nënshkruar kontratat për...

Deputeti Nikollë Camaj kujton jetën dhe veprën e atdhetarit Rrok Dedvukaj

Sot, në Amerikën e largët, i jepet lamtumira e...
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Related Articles

spot_imgspot_img