Shkup, 6 mars – Drejtoria për zona zhvillimore teknologjike industriale (ZZHTI) dhe Organizata japoneze për tregti të jashtme (XHETRO) sot nënshkruan memorandum për bashkëpunim në Klubin e deputetëve. Me Memorandumin do të zbatohen aktivitete të përbashkëta për promovimin e mundësive investuese mes dy vendeve dhe për avancimin e bashkëpunimit mes kompanive japoneze dhe nga Maqedonia e Veriut në disa sektorë.
Delegacioni japonez, i udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm i Ministrisë japoneze të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Takehiko Matsuo dhe drejtori i XHETRA-s nga Vjena, Tatsuo Kamino, e në përbërje të të cilit janë përfaqësues nga 11 kompani të njohura japoneze, gjatë tre ditëve të ardhshme do të kenë takime me studentë nga FINKI, përfaqësues të startap kompanive, të cilët janë pjesë e programeve të Fondit për inovacione dhe zhvillim teknologjik, si dhe me përfaqësaues të kompanive të mëdha, të cilat janë pjesë e Odës ekonomike të Maqedonisë.
“Një nga shtyllat e Memorandumit, që e kemi nënshkruar sot, është mundësia për promovimin e kompanive nga Maqedonia e Veriut dhe Japonia në projektet për rindërtim të Ukrainës. Atë që kemi pasur mundësi verës gjatë vizitës në Japoni ta kuptojmë, është se ka interes serioz, posaçërisht nga bankat e mëdha japoneze, për financimin e këtyre projekteve, të cilat presim se së shpejti do të ndodhin pas përfundimit të konfliktit, ashtu që një nga fokuset e vizitës është pikërisht kjo – biseda mes kompanive nga Japonia dhe Maqedonia e Veriut, si të shfrytëzohet përvoja dhe afërsia e jonë në këto tregje dhe kompanitë tona së bashku me kompanitë japoneze të marrin pjesë në rikonstruimin”, deklaroi drejtori i Drejtorisë së ZZHTI-së, Jovan Despotovski.
Me Memorandumin pritet të vendoset edhe bashkëpunim më i afërt mes kompanive nga të dy vendet, posaçërisht në pjesën e inovacioneve dhe hyrje më e lehtë e kompanive japoneze në vend.
“Ideja e kësaj vizite ishte t’u mundësohet kompanive japoneze të njoftohen me mentalitetin në Maqedoninë e Veriut, aktivitetet afariste dhe të vendosen lidhje afariste mes kompanive nga Maqeodnia e Veriut dhe Japonia. Në disa vitet e fundit, XHETRO intensivisht punon në vendosjen e lidhjeve afariste, posaçërisht në sferën e inovacioneve. Shpresoj se me këtë vizitë do të vendoset lidhje më e ngushtë mes kompanive japoneze dhe ato start ap në Maqedoninë e Veriut, pikërisht në këtë sferë”, tha drejtori i XHETRO-s nga Vjena, Kamino.
Kjo është vizita e dytë e XHETRO-s në Maqedoninë e Veriut. E para u realizua në vitin 2019.
Memorandumi nënshkruhet në muajin kur shënohen 30 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Japonisë dhe Maqedonisë së Veriut.