Kryeministri Edi Rama, njëherësh kreu i Partisë Socialiste, ka deklaruar se nuk ka një kundërshtar politik, por do vijojë të forcojë radhët brendapartiake për sfidat e ardhshme.
Gjatë një takimi me strukturat e PS-së në Balldren të Lezhës, kryesocialisti u shpreh se “socialistët arritën një rezultat fitues në zgjedhjet vendore, falë zgjerimit të radhëve e fushatës së përbashkët me demokratë të ardhur e me anëtarësime të reja përtej kufijve të vjetër politikë“.
Z. Rama tha se socialistët duhet të provojnë që janë të hapur për të gjithë.
“Partia Socialiste ka një përgjegjësi të madhe historike mendoj unë, sot që flasim, sepse gjithë këtë progres që është bërë, i cili është një progres që duhet të vazhdojë, duhet ta garantojë dhe ta bëjë të pakthyeshëm në drejtësi, në ekonomi, në pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë,” u shpreh kryesocialisti Rama.
Sipas tij “ne e bëjmë këtë proces, sepse për mua, them që duhet ta bëjmë me shumë vetëdije vetëkritikën tonë dhe vetëpërmirësimin tonë në kushtet kur ne nuk jemi të sfiduar nga një kundërshtar përballë“.