Shkup, 4 mars– Pagat e një mijë zyrtarëve nuk do të rriten për 400 ose 500 euro, por vetëm për 2-3 mijë denarë. Njëzëri dhe pa diskutim javën e kaluar deputetët ndryshuan ligjin dhe ulën koeficientët. Me këtë nuk do t’u shkurtohet funksionarëve rritja e vitit të kaluar prej 78 për qind, por së paku tani për tani është ndalur rritja galopante e pagave. Tani duhet gjetur një mënyrë për të kufizuar pagat e drejtorëve të emëruar nga Qeveria. Deputetët në procedurë rekorde ndryshuan gjashtë ligjet, të cilat vendosin kufizim në pagat e zyrtarëve që nga muaji shkurt.
Kufizimi përfshin presidentin, deputetët, ministrat, gjyqtarët, prokurorët publikë, anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë, respektivisht gjithsej njëmijë e 60 funksionarë. Ligjet parashikojnë ulje të koeficientit: për tre postet e para në shtet: president, kryeparlamentar dhe kryeministër nga 4.50 në 3.91. Për deputetët koeficienti do të jetë nga 3,04 der në 3,92, në vend se siç ka qenë deri më tani nga 3,5 në 4. Kjo ulje minimale parandalon rritjen e pagave me 15,3 për qind, ose nga 300 në 500 euro, që do të ndodhte në muajin mars në rast se koeficientët nuk uleshin me ndryshimet ligjore.
78 përqindëshi mbetet, rritja e mëtejme ngadalësohet, gjykatësit nuk pajtohen
Por kjo ulje ka hasur në reagime të shumta, e më të zëshëm kanë qenë Shoqatat e gjykatësit dhe prokurorëve publikë e quajtën të papranueshme. Gjykatësit dhe prokurorët, që gëzojnë nivel besimi në opinion vetëm 3-4 për qind, kërkojnë koeeficiente më të larta të pagave, respektivisht prisnin që pas dialogut gjashtëvjeçar me Qeverinë të kishte rritje e jo ulje të koeficientit për ta, andaj theksuan se kjo nuk kontribuon në pavarësinë e tyre financiare sipas standardeve ndërkombëtare. Lidhja e Sindikatave e konsideron hipokrizi dhe kërkon që zyrtarët t’i kthejnë rrogat e rritura për 78 për qind, ose t’ua japin punëtorëve.
Pagat e zyrtarëve u rritën aq shumë në mars vitin e kaluar, kur Gjykata Kushtetuese hoqi bazën fikse. Me këtë, pagat e tyre rriten paralelisht me pagën mesatare. Në muajt në vijim do të duhet të kërkohet një zgjidhje e qëndrueshme dhe deri atëherë pritet rregullimi i pagave të drejtorëve të emëruar nga Qeveria, shkruan Zhurnal. Politikanët dhe funksionarët i bënë të gjitha akrobacionet e mundshme dhe i ruajtën pagat e rritura për 78 për qind edhe pse në fillim kishin premtuar se do të gjejnë zgjidhje për të “shlyer” këtë 78 për qindësh që u takoi me një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Që të jetë ironia më e madhe, pagat u janë rritur pikërisht atyre që nga qytetarët perceptohen si kategoria më e korruptuar në vend. Për shembull raporti për vlerësimin e korrupsionit në Maqedoni i publikuar në fund të vitit 2023 tregoi se çdo të tretit qytetar në vend i është kërkuar ryshfet dhe çdo i katërti ka vendosur të paguajë ryshfet, për të marrë shërbimin apo ndihmën e nevojshme nga ndonjë institucion apo zyrtar në administratën publike.
Raporti poashtu tregonte se tre të katërtat e qytetarëve besojnë se ka korrupsion të përhapur në sistem dhe kanë mosbesim ndaj Qeverisë dhe mbi 80 për qind i perceptojnë postet e ministrit, deputetit, gjyqtarit, liderit të një partie politike si më të korruptuara. Po e përsërisim, pikërisht ata që marin paga të rritura për 78 për qind, deri sa qytetarët assesi nuk po ia dalin me inflacionin galopant, shkruan Zhurnal Pas prezantimit të këtij raporti, as presidenti i vendit Stevo Pendarovski nuk kishte arritur të përmbahet duke thën se shifrat janë të qarta dhe tregojnë se në vend ka një epidemi të korrupsionit, pasuar nga mosndëshkimi për rastet e korrupsionit të lartë. Është i nevojshëm ndryshimi i mentalitetit.
Ambasadori evropian David Geer asokohe premtoi se se do të monitorojë nga afër punën e përbërjes së re të Komisionit Kundër Korrupsionit. Ai përsëri kritikoi ndryshimin e Kodit Penal me të cilin dhjetëra zyrtarë shpëtuan nga përgjegjësia dhe tregoi për përvojën e tij në korrupsion në Maqedoni, madje duke prezantuar një rast ku edhe atij personalisht i ishte kërkuar ryshfet në vendin tonë. Problemi është se autoritetet të cilave u kërkohet të lexojnë raportet e auditimit, veçanërisht ato në të cilat është dhënë vlerësim negativ nga auditorët, nuk e bëjnë këtë.
Puna e “mirë” e gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut u ka rënë në sy edhe diplomatëve të huaj?
Gjendja jo e mirë në gjyqësorin tonë u ka rënë në sy edhe diplomatëve të huaj, që nuk anë kursyer kritikat, por edhe apelet publike që gjërat të marin kahje pozitive. “Tërmet” të vërtetë vitin e kaluar shkaktoi ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Angela Price Aggeler e cila kishte adresuar një letër deri tek instancat gjyqësore dhe të ekzekutivit në të cilën shpreh shqetësimin dhe dëshpërimin e saj dhe të SHBA-ve, për siç theksonte “vendimet e rrëzuara kundër profileve të larta të cilat Gjykata Apelit i ka kthyer në shkallën e parë”. Letra poashtu potenconte edhe përpjekjet e SHBA-ve dhe gjysmë miliardë euro të investuara për reforma në gjyqësor.
“Çdo ditë e më shumë shqetësohem dhe zhgënjehem për numrin e madh të lëndëve (nga profilet e larta) që Gjykata e Apelit i ka kthyer në shkallën e parë për rigjykim. Paaftësia e dukshme e gjykatave për t’i kaluar rastet në mënyrë të shpejtë përmes gjykimin, në Apel dhe kalimi i tyre para dhe mbrapa mes Apelit dhe Themelores po gërryen edhe më tej besimin e ulët që opinioni ka tek gjykatat”, thuhej në letrën e Ambasadores Aggeler. Letra i referohet kryesisht rasteve për të cilat opinioni është shqetësuar e që ndërlidhen me gjykimet ndaj ish funksionarëve të cilët kanë shpërdoruar detyrat zyrtare dhe kanë dëmtuar buxhetin e shtetit.
Edhe ambasadori holandez në Shkup Dirk Jan Kopp e ka thënë hapur se gjykatësit në Maqedoninë e Veriut duhet të përpiqen të kuptojnë pse ka kaq pak besim në gjyqësor dhe të bëjnë diçka për këtë. Ai vazhdimisht dhe publikisht ka qenë kritik ndaj zhvillimeve në gjyqësor, kurse me një rast kërkoi prej gjykatësve që nëse ka korrupsion në mesin e tyre, ta largojnë vetë, sepse kanë mekanizma për këtë dhe nëse ka presion nga politikanët dhe biznesmenët, të thonë kush janë ata, shkruan Zhurnal.
“Pyet veten, gjykatës, ku po shkon? Për ne, Holandën, përgjigja është e qartë, në Bashkimin Evropian. Dhe ne jemi të gatshëm t’ju mbështesim në këtë rrugë. Por ne duam gjithashtu të shohim një angazhim më të fortë nga ju. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut ju shikojnë me sy kritikë dhe ndryshimi nuk është i mundur nëse nuk keni një qasje të ngjashme. Përpiquni të kuptoni pse ka besim të ulët tek gjyqësori dhe veproni. Nëse dhënia e drejtësisë është e ngadaltë, jini më efikas. Nëse mes jush ka njerëz të korruptuar që i bëjnë keq të gjithë sektorit, hiqini, keni mekanizmat për ta bërë këtë. Nëse ka politikanë dhe biznesmenë që ju bëjnë presion, zbuloni se cilët janë ata. Nëse ka boshllëqe në ligje, bisedoni me qeverinë dhe parlamentin dhe kërkoni ligje më të mira. Nëse ka arsye të tjera, jini transparent në lidhje me to’, kishte theksuar ambasadori Kop duke këshilluar se në këtë mënyrë, gjykatësit dhe prokurorët në mënyrë proaktive do të ndryshonin jo vetëm kulturën gjyqësore, por edhe perceptimin e publikut./Zhurnal